Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se njoftimi për rritjen e pagave në sektorin publik nga janari i vitit të ardhshëm, “nuk i mbulon dështimet në ekonomi dhe rënien e standardit të jetesës”.
Madje sipas tij, kjo rritje e premtuar nga Qeveria, është shumë e vogël për të sanuar nivelin e varfërisë.
“Kjo rritje e premtuar është tejet e vogël për të sanuar sado pak nivelin e varfërisë së ekonomive familjare i cili është rezultat i rritjes së çmimeve të produkteve, çmimit të energjisë elektrike, rritjes së tatimit në pronë dhe politikave të gabuara që kjo qeveri i ka miratuar”, ka shkruar Tahiri në Facebook.
Ndër të tjerash, Tahiri ka përmendur edhe zgjedhjet e 9 shkurtit, për të cilat tha se kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, sa ishte ministër i Financave, kishte rritur pagat në përqindje më të madhe.
Me ç’rast, Tahiri ka thënë se koha e përparimit dhe ndryshimit po vjen, duke iu referuar zgjedhjeve të ardhshme.
“Ndërkaq, në kohën kur financat e shtetit i menaxhonte Bedri Hamza, asokohe Minister financash, ne pak muaj Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, i rriti pagat e mjekëve 87%, të arsimtarëve 89% pagat e infermierëve 133%, pagat e policëve 139% dhe të gjitha kategorive të tjera shoqërore. Në të njëjtën kohë, pa marrë asnjë cent borxh, kemi ndërtuar dy autostrada që kanë transformuar vendin, kemi sjellur investitorë të medhenj në aeroport dhe energjetikë dhe kemi zvogëluar papunësinë për 30%. Këto nuk janë statistika propagandistike. Të gjithë qytetarët i mbajnë ne mend rritjet e pagave nga Bedri Hamza, në qeveritë e udhëhequra nga Kryeministri Thaçi. Koha e premtimeve të kesaj qeverie në shkuarje ka kaluar. Koha e përparimit dhe ndryshimit po vjen me 9 shkurt”, ka shtuar Tahiri.