Kryenegociatorët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq do të udhëtojnë nesër në Bruksel për një takim të rëndësishëm për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano.
Stano, i pyetur nga gazetarët për njohjen e ndërsjellë, tha se qëllimi i dialogut është normalizimi i raporteve midis dy vendeve.
“Nuk ka njohje aty. Mandati është t’u ndihmohet dy palëve që t’i normalizojnë raportet. Njohja është diçka shumë larg në rrugën e procesit”, tha Stano.
Ai konfirmoi se takimi i kryenegociatorëve do të zhvillohet nesër, në përputhje me paralajmërimin e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, pas takimeve me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.