Gazeta spanjolle “El Mundo” e ka larguar nga artikulli pjesën e citatit ku Kryeministri Albin Kurti foli mirë për Marrëveshjen e Washingtonit, të nënshkruar nga ish-kryeministri Avdullah Hoti në vitin 2020.
Pa iu referuar me emër, në artikullin e parë që u publikua nga ky medium, Kurti i kishte dhënë vlerësim kësaj marrëveshje, për të cilën më herët ai dhe partia e tij flisnin me tone të ashpra.
“Kosova ka një marrëdhënie të fuqishme bilaterale me Shtetet e Bashkuara, bazuar në përkushtimin e saj të vazhdueshëm për sovranitetin tonë dhe integrimin tonë në BE e NATO. Gjatë mandatit të Trump, marrëveshjet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kishin prioritet për ta promovuar stabilitetin, ndërsa administrate Biden fuqizoi institucionet demokratike në Ballkan. Edhe pse këto dallime reflektojnë ndryshime në qasje, nuk besoj që ShBA-të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës; ne punojmë ngushtë me Uashingtonin”, ishte cituar Kurti fillimisht.
Ky artikull më pas është përditësuar, e nga citati është larguar pjesa ku flet për marrëveshjet ekonomike.
“Kosova ka një marrëdhënie të fuqishme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bazuar në përkushtimin e saj të vazhdueshëm për sovranitetin tonë dhe integrimin tonë në Bashkimin Evropian dhe NATO. Kosova varet indirekt nga Shtetet e Bashkuara dhe në të njëjtën kohë edhe nga marrëdhëniet që Shtetet e Bashkuara mbajnë me Bashkimin Evropian, Rusinë, Kinën dhe Lindjen e Mesme. Shtetet e Bashkuara kanë shumë fuqi dhe pak kohë. Nuk besoj se do të ndryshojnë qëndrim karshi Kosovës. Ne punojmë ngushtë me Washingtonin. “Unë mendoj se ndryshimi midis administratës Biden dhe administratës Trump ndoshta qëndron në çështjet e politikës së brendshme.”
Për këtë ndryshim të qëndrimit të Kurtit, kishte reaguar Hoti që e kishte quajtur hipokrizi.
“Pas gjithë këtyre viteve propagandë, akuzave të pabaza dhe shpifjeve të bëra ndaj qeverisjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës nga Albin Kurti për nënshkrimin e Marrëveshjes së Washingtonit, sot ai hapur pranon vlerat e saj. Në intervistën për gazetën spanjolle El Mundo – Kurti e quan këtë marrëveshje një nismë që promovon stabilitetin për Kosovën. Çfarë hipokrizie! Njeriu që vijojë të ndërtoi prapësirën e tij politike mbi sulmet e pamëshirshme ndaj kësaj marrëveshjeje, sot e pranon rëndësinë e saj.”