Skuadra e Serie A, Cagliari ka bërë një ofertë të re drejt Rubin Kazanit, kjo për të blerë sulmuesin shqiptar Mirlind Daku.
Sipas gazetarit rus Ivan Karpov, Cagliari ofron pesë milionë euro, plus tre milionë euro bonuse, pasi oferta e parë prej tre milionë euro në gjysmën e parë të korrikut u refuzua nga Rubin Kazan, raporton Telegram News.
“Oferta nuk është e keqe, por gjithsesi nuk i shkon për shtat Rubinit. Siç kam raportuar më herët, klubi dëshiron ta mbajë Dakun ose të marrë së paku 10 milionë euro për të”, ka shkruar Karpov.
Më herët, babai i futbollistit, Fehmi Daku, ka thënë se përveç Cagliarit, për djalin e tij është i interesuar edhe CSKA, Lokomotiva dhe disa klube të Bundesligas.
Daku u transferua në Rubin në vitin 2023 nga klubi kroat Osijek, duke nënshkruar një kontratë trevjeçare, me tarifën e transferimit prej 1.2 milionë euro.
Sezonin e kaluar ylli shqiptar, tani 26 vjeç, luajti 33 ndeshje për Rubin Kazan në të gjitha garat dhe shënoi 10 gola. Ai ishte pjesë e Shqipërisë në Euro 2024.
Kujtojmë që Cagliari pak ditë më parë bleu nga Egnatia portierin e kombëtares shqiptare, Alen Sherri.