Kryetari i Aleancës së Ardhmërisë të Kosovës, Ramush Haradinaj, është deklaruar lidhur me mbledhjen e sotme që është mbajtur brenda kësaj partie.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj theksoi se fitorja po ndihet gjithandej dhe se pjesë e fitorës është edhe mbështetja e diasporës.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po kalon në një moment të rëndësishëm pozitiv mobilizimi të jashtëzakonshëm nga strukturat. Fryma e fitores po ndihet gjithandej, veçanërisht mbështetja e jashtëzakonshme nga Diaspora, që do të jete krah i fortë i koalicionit tonë”, ka shkruar ai.
Haradinaj bëri të ditur se janë në finalizim të programit zgjedhor dhe tha se ky program publikohet javën e ardhshme.
“Jemi në finalizim të programit zgjedhor, i cili do të bëhet publik javën e ardhshme. Ky program përfshin prioritete të qarta dhe planifikime të hollësishme, për ta bërë më cilësore jetën e qytetarëve, zhvillimin ekonomik dhe Kosovën më të sigurt”, tha ai.
Më tej, kreu i AAK-së tha se janë konfirmuar disa prej kandidaturave për deputetë.
“Gjatë diskutimit, u konfirmuan disa prej kandidaturave për deputetë. Këto zgjedhje janë bërë me kujdes dhe bazuar në aftësitë dhe përvojën e kandidatëve për të përmbushur rolet e tyre në Kuvend”, tha ai. /TelegramNews/