Ka nisur afati ligjor kur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mund të shpallë zgjedhjet e rregullta parlamentare. Pas dërgimit të ftesës për liderët e partive politike që t’i takojë më 31 korrik për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve, mundësia më e madhe e mbajtjes së tyre po shihet fundi i muajit janar apo fillimi i muajit shkurt 2025.
Ftesën e presidentes e kanë konfirmuar partitë politike, derisa edhe shprehën të gatshme për zgjedhje parlamentare. Në anën tjetër, monitoruesit e zgjedhjeve kërkojnë nga presidentja që t’i shpallë zgjedhjet dhe të caktojë datën sa më herët që është e mundshme, në mënyrë që KQZ-ja, të ketë kohën e mjaftueshme në dispozicion për përgatitjen sa më të mirë të procesit zgjedhor, duke ditur edhe ndryshimet ligjore që janë bërë.
Në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, thonë se janë të gatshëm për zgjedhjet e reja parlamentare.
Deputeti i mazhorancës, Arbër Rexhaj, thotë se janë të hapur edhe për zgjedhje të parakohshme në mënyrë që të njëjtat të mbahen në vjeshtë.
“Jemi në një teren politik dhe në politikë gjithçka është e mundshme. Ne jemi të hapur për zgjedhje dhe kemi qenë edhe atëherë për zgjedhje të parakohshme, kemi kryer edhe punën e opozitës meqenëse s’ka opozitë. Besoj se në çfarëdo varianti që janë të gatshëm partitë opozitare, ne jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje,” thekson Rexhaj.
Ftesën e presidentës për konsultime rreth shpalljes së zgjedhjeve të rregullta e konfirmuan në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa përmes një përgjigje me shkrim bëri të ditur se kryetari Lumir Abdixhiku do t’i përgjigjet pozitivisht të njëjtës.
Në anën tjetër, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, thotë se presidentja Osmani në muajin gusht duhet të caktojë datën e zgjedhjeve me dakordimin edhe të partive politike.
“Ne jemi në vit zgjedhor. Presidentja deri në fund të muajit gusht duhet të caktojë datën e zgjedhjeve. Ajo duhet të takohet me përfaqësuesit e partive politike dhe të caktohet data e zgjedhjeve. Cila do të jetë data e zgjedhjeve do të shihet pas takimit dhe dakordimit të partive politike…Ne si AAK jemi të gatshëm që kurdo që do të mbahen zgjedhjet. Jemi duke punuar në teren, jemi parti e konsoliduar dhe me pesë komuna që udhëheqim”, deklaron ajo.
Në anën tjetër hulumtuesi në Institutin Demokratik(KDI), Eugen Cakolli thotë se në bazë të Ligjit për Zgjedhje, presidentja Osmani prej datës 25 korrik, ka qenë e autorizuar të ftojë partitë politike për t’u konsultuar rreth datës së zgjedhjeve dhe shpalljes së tyre.
Ai deklaron se presidentja duhet t’i shpallë zgjedhjet sa më heret në mënyrë që KQZ-ja të përgatitet për organizimin e tyre, duke marrë parasysh ndryshimet ligjore, votimin në ambasada dhe rritjen e mundësisë së votimit deri në dhjetë kandidatë.
“Nëse ndiqen afatet e rregullta kohore zgjedhjet do të duheshin të mbaheshin në fillim të vitit të ardhshëm, mes fundit të muajit janar dhe mesit të muajit shkurt. Prapë se prapë ky vit do të jetë të paktën i shpalljes të zgjedhjeve të rregullta apo të jashtëzakonshme. Në këtë drejtim jemi në prag të hyrjes së afateve të rregullta ligjore kur presidentja do të duhej të konsultojë partitë politike…. Sa më shumë që i jepet në dispozicion KQZ-së për të përgatitur procesin zgjedhor është më mirë duke ditur numrin e madh të ndryshimeve ligjore që kanë ndodhur në raport me procesin zgjedhor. Theksi kryesor do të jetë çështja e votimit jashtë vendit dhe ndryshimi i votës preferciale në dhjetë kandidatë, qendrat komunale të numrit që janë faktor dhe KQZ-së do t’i duhej më shumë kohë në dispozicion për t’u përgatitur”, shton Cakolli.
Zgjedhjet e kaluara parlamentare janë mbajtur më 14 shkurt të vitit 2021. Megjithëse në pranverë të këtij viti pati një iniciativëtë PDK-së për organizim të zgjedhjeve të parakohshme, dy partitë të tjera opozitare, LDK dhe AAK, nuk u pajtuan për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, kërkesë e cila ishte edhe partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje./kp