Drejtori i Agjencisë Inteligjente Amerikane (CIA) William Burns ka qëndruar në kryeqytetin e Bosnjë Hercegovinës Sarajevë për të diskutuar urgjentisht me drejtorin gjeneral të inteligjencës së shtetit (OSA) Almir Xhuvo dhe anëtarët e Presidencës së BiH dhe shefin e politikës së jashtme, rreth sovranitetit të shtetit.
Deklaratat e shpeshta të përfaqësuesit politik të Republikës Serbe Millorad Dodik për shkëputje nga federata e shtetit, kanë qenë arsyet kryesore të kësaj vizite të shefit të CIA-s në BiH.
Vizitën e papritur të Burns në BiH Serbia e ka parë si diçka që prish strategjinë e “Botës serbe”, një projekt që po merr përmasa konflikti ne rajon të Ballkanit Perëndimor duke rrezikuar paqën në këtë pjesë të Evropës.
Vizita e kreut të CIA-s në BiH, shihet si garancë e Konferencës së Dejtonit më 1995 që garanton funksionimin e shtetit me tri republika në një sistem federativ.
Sipas gazetës Avaz, vizita ka të bëjë me ruajtjen e integritetit territorial të BiH.
Sipas po kësaj gazete, është biseduar me brengosje ndaj retorikës secesioniste të veprimit të presidentit të Republikës Serbe Millorad Dodik.
Burns ka qëndruar vetëm për disa orë në Sarajevë raportojnë mediat dhe Kryetari i Presidencës së Bosnjë Hercegovinës e ka cilësuar si tepër të rëndësishëm takimin me drejtorin e CIA-s.
Beqiroviq, takimin me Burns e ka quajtur takim kundër rrezikut anti-Dejton të udhëhequr nga politika e RS-së .
Ai tha se kjo ishte një vizitë shumë domethënëse dhe e rëndësishme, para së gjithash nga aspekti i sigurisë, por edhe një konfirmim se administrata amerikane po kujdestaron me kujdes ngjarjet politike në Bosnjë e Hercegovinë dhe në rajon.
Burns ka vazhduar vizitën e tij zyrtare nga Sarajeva në Beograd dhe ai sipas informacioneve në dispozicion, në Beograd do të bisedojë edhe për dialogun Kosovë-Serbi në Bruksel dhe për vatrat e krizave në Ballkanin Perëndimor ndaj të cilave mendohet se Serbia është përgjegjëse.
Mediat pro Vuçiqit vizitën e Burns në Sarajevë e Beograd e kanë cilësuar si kërcënim për rrëzimin e presidentit të Serbisë nga fronti politik./S.Krivaqa