Gjykata Kushtetuese ka bërë vlerësimin e kushtetutshmërisë për vendimin e Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e anëtarit joprokuror të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Agron Beka.
Aktgjykimi i Kushtetuese konstaton se Kuvendi përmes vendimit të kontestuar, nuk ka tejkaluar autorizimet kushtetuese dhe ligjore në shkarkimin e Bekës.
“Në rrethana të tilla, në të cilat, Kuvendi ka ushtruar rolin e tij ndërlidhur me anëtarët jo-prokurorë të Këshillit Prokurorial, dhe ka shkarkuar një anëtarë jo-prokuror bazuar në procedurën dhe bazat e shkarkimit sipas përcaktimeve të Ligjit për Këshillin Prokurorial, përfshirë mbi bazën e një arsyetimi që nuk rezulton të jetë dukshëm arbitrar, Aktgjykimi konstaton se Kuvendi përmes Vendimit të kontestuar, nuk ka tejkaluar autorizimet kushtetuese dhe ligjore në kontekst të paragrafit 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe paragrafit 4 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës”, thuhet në vendim.
Në dhjetor të vitit të kaluar, deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e kishin dërguar në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë, vendimin e Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e anëtarit joprokuror të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Agron Beka.
Deputetët e pushtetit, shkarkuan Agron Bekën nga pozita e anëtarit joprokuror të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Pas shkarkimit të Bekës, kishte reaguar edhe KPK-ja, duke paralajmëruar kontestim të vendimit përmes mekanizmave ligjor.
Inicimi erdhi pas hulumtimit të emisionit “Betimi për Drejtësi”, të transmetuar më 18 shkurt 2023 me titull “Përplasjet institucionale për Agron Bekën”, në të cilin ishin shpalosur pretendimet për shkeljet ligjore nga Beka dhe të tjerë në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”.