Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme është në pajtim me Kushtetutën.
Këtu ai ka përmendur se kuotat gjinore prej së paku 30% në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme janë në përputhje me Kushtetutën.
“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sapo konfirmoi se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme është në pajtim me Kushtetutën duke vendosur njëzëri se niveli i përcaktuar i kuotave gjinore në listat e kandidatëve të secilit subjekt politik garanton përfaqësim të drejtë duke respektuar parimet e barazisë gjinore”, shkruan Tahiri në Facebook.
Tahiri thotë se është i kënaqur që kjo gjë u vendos edhe nga Gjykata Kushtetuese, pasi ky ligj kishte adresuar disa rekomandime të organizatave vendore dhe ndërkombëtare.
“Si Kryetar i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, jam shumë i kënaqur që punën tonë e vulosi edhe Gjykata Kushtetuese krahas vlerësimeve të partnerëve tanë ndërkombëtarë pasi ky ligj kishte adresuar dhjetra rekomandime të organizatave vendore dhe ndërkombëtare, si në raport me përmirësimin e integritetit zgjedhor ashtu edhe në garantimin e të drejtës kushtetuese zgjedhore të shtetasve tanë brenda dhe jashtë vendit për të manifestuar vullnetin e tyre të lirë përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike”, thotë Tahiri.
“Vlen të theksojmë se reforma zgjedhore e realizuar në këtë mandat qeverisës dhe nën udhëheqjen e opozitës parlamentare përbën ndër sukseset e pakta të kësaj legjislature e cila pas një kohe të gjatë mbi 12 vjeçare të zvarritjes së kësaj reforme kishte rezultuar e suksesshme, dhe sot, si e tillë, u konfirmua edhe tërësisht në pajtim me Kushtetutën”, shton tutje ai.