Të paktën 17 njerëz vdiqën dhe 29 të tjerë u shpëtuan, pasi një autobus u përplas të dielën në shtetin Brazilian Alagoas, tha sekretariati shtetëror shëndetësor.
Një person u dërgua në Spitalin Rajonal të Mata-s, por nuk u mbijetoi plagëve, ndërsa të tjerët vdiqën në vendin e ngjarjes, thuhet në një deklaratë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Hollësitë e aksidentit nuk u zbuluan, por mediat lokale raportuan se autobusi ishte rrokullisur në një shkëmb.
Guvernatori i Alagoas, Paulo Dantas, shpalli tri ditë zie për viktimat.
“Unë e kam urdhëruar mobilizimin e plotë të shtetit, me ekipe nga brigada e zjarrfikësve dhe tërë struktura shëndetësore që po punojnë për të ndihmuar” – shtoi ai në një deklaratë.
Në rrjetin X, presidenti Luiz Inacio Lula da Silva tha se qeveria federale ishte duke e vëzhguar situatën dhe se do t’u ofronte mbështetje autoriteteve rajonale për shpëtim dhe kujdes ndaj viktimave.