Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka komentuar deklaratën e presidentes së Kosovës në Kuvendin e Kosovës, duke thënë nuk dëshiron as ta mirëkuptojë deklaratën e saj se nuk duhet besuar Bashkimit Evropian.
Tahiri pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, tha se si AAK nuk kanë marrë pjesë në seancën ku raportoi presidentja Osmani, të cilën as nuk e kupton.
“Deklarimi i presidentes është i vonshëm, ndërsa deklaratat se nuk mund t’i besojmë Bashkimit Evropian, unë as nuk i kuptoj, as nuk i mirëkuptoje as nuk e di si mundet një institucion si Presidenca, si presidente e Kosovës me thënë nuk i besoj. Qysh nuk i beson një institucioni që i ke ra në dy gjunjë po i kërkon të bëhesh anëtare, po i kërkon të bëhesh vend kandidat, po ia kërkon 800 milionë euro nga plani për rritje, s’jam ka kuptoj këtë qasje, këta njerëz, këta lider institucional duke i përfshirë Vjosa Osmanin, Albin Kurti, këta me të vërtet nuk po e dinë kush janë, a çka janë a, si ka ardhur liria, si është bërë shteti, me kë është bërë, çka janë duke menduar këta, kush janë. Nuk i beson Amerikës ky tjetri, Albin Kurti. Nuk e ka shkel këmba as shtëpinë e bardh, as Pentagonin, kjo tjetra thotë mos i besoni BE së që shumicën e investimeve e kemi me para të taksapaguesve të këtyre shteteve, kush Kosova me 1 milion e gjysmë banor, mosni se kjo është sjellje e papërgjegjshme. Kjo tregon se votën që e kanë marrë nuk ia dinë as kimetin, e as vlerën”, tha ai.
Edhe shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, është pyetur për fjalimin e presidentes Osmani.
“Mendoj që unë nuk jam ajo që duhet të jap përgjigje për fjalimin e presidentes. Secili në rolin e vet kushtetues i takon që të bëjë vlerësimin e vet. Është shumë e rëndësishme që vendi, shteti, institucionet dhe krerët institucional janë në rrugën e drejtë. Agjenda e përbashkët shtetërore nuk është cenuar asnjëherë dhe natyrisht ne si pozitë me të gjitha detyrat që i kemi, do të mundohemi me përkushtim e nderë ta përmbyllim këtë legjislaturë e cila jo që ka pasur pak sfida”, tha ajo, derisa ka komentuar edheparalajmërimin e emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak se takimi i ardhshëm mes kryenegociatorëve do të mbahet në muajin dhjetor.
“Fatkeqësisht jo në pak raste presioni është adresuar në drejtim të gabuar, ndaj Kosovës, ende sot e kësaj dite, të paktën zyrtarisht masat ndaj Kosovës janë në fuqi, prandaj ajo çka mund të presim është që të paktën të ketë adresim të qartë të problemeve dhe pengesave të deritashme në zbatimin e marrëveshjeve, gjë që nuk e kemi parë shpesh nga Bashkimi Evropian të balancuar, Përtej kësaj e tëra mbetet të shihet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe dinamizimit të procesit nëse ka vullnet që të kemi një progres më të madh në këtë aspekt. Do të varet shumë edhe kush do të vazhdojë të mbaj postin e kryenegociatorit. Jo në pak raste, në shumë dhe tepër të intensifikuara së fundmi, ka pasur sfida të komunikimit me zotin Lajçak apo mënyrën si ka komunikuar ai me palët dhe mënyrën se si ka komunikuar vendimet apo mosvendimet nga palët pjesëmarrëse në dialog“, tha ajo.
E shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi tha se nuk pret zhvillime në dialog.
“Nuk pres diçka të veçantë dhe mendoj se jemi në fazën zgjedhore dhe nuk pritet të ketë zhvillime në aspektin e dialogut”, tha Gashi.