Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Kushtrim Xhemaili, ka thënë se Kosova është shumë larg një qeverisje me duar të pastërta siç kanë premtuar Vetëvendosje dhe kryeministri aktual Albin Kurti.
Xhemaili ka thënë se dëshmia e Fahrije Hotit, do të duhej t’ia mbyllte gojën ministrit Peci.
“Sa të dojë le të krekoset Peci për punë të mirë dhe revolucionare që ka bërë në Ministri por dëshmia e sotme Fahrije Hotit ishte dashtë me ja mbyllë gojën dhe me ja vra ndërgjegjen njerëzore. Sa herë flet ky Ministër tash e katër vjet flet se sa fort e ka luftuar keqqeverisjen dhe abuzimin me subvencione e me prona, por si duket lufta e tij ka qenë me i heqë ata përpara tij e me i vendosë përfituesit e vet. Ministri si duket e ka harruar se është Ministër e jo kapo që bën ligj sepse në Kosovë pushtetet janë të ndara dhe të tjerë janë ata që e bëjnë ligjin në Kosovë. Është e paimagjinueshme guximi që kanë marrë zyrtarët e pushtetit në Kosovë. Sulmojnë prokurorinë dhe drejtësinë, jo pse besojnë se ata s’janë në nivel por sepse me veprimet e veta janë bërë subjekt i drejtësisë”, ka thënë Xhemaili.
Ai ka shtuar se kjo qeveri jep subvencione në kohë fushate familjarëve të deputetëve të VV-së.
“Në kohë fushate me ju dhanë subvencione familjarëve të deputetëve dhe miqve të Albinit siç është rasti i Dardan Veliaj, dëshmohet edhe njëherë se Kosova është ende tepër larg nga një Qeverisje me duar të pastërta dhe një Qeveri që Kosovën dhe qytetarët e saj i vendosë në vend të parë”, është shprehur ai.
Fahrije Hoti, udhëheqësja e Kooperativës Bujqësore “Krusha”, ka thënë se ministri i Bujqësisë, Faton Peci duhet të kërkojë falje publike ndaj saj dhe gjitha grave të Krushës siç tha ajo “për njollosje të emrit dhe shpifje”.
Kjo pas deklaratave të ministrit Peci i cili ka shkruar në Facebook se “në vitin 2017 Ministria e Bujqësisë e ka paditur Kooperativën Bujqësore ‘KRUSHA’ dhe i ka kërkuar kthimin e 17 mijë e 800 eurove që i kishin fituar si grant”.