Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli thotë se ndërmarrjet publike në Kosovë ende kanë vështirësi, por trendi është pozitiv. Ajo përmend KEK dhe Telekomin si ndërmarrje që janë kthyer në profitabile, në krahasim me humbjet në të kaluarën, dhe se kjo sipas saj kjo nuk është rezultat i subvencioneve të qeverisë.
Rizvanolli thotë se është momenti i fundit që të ketë një ringjallje të brendshme të Trepçës, pasi nuk mund të ketë mbështetje të vazhdueshme nga paratë e taksapaguesve dhe mos të ketë progres të menaxhimit të brendshëm dhe rritje të prodhimit.
“Ndërmarrjet publike sigurisht ende kanë vështirësi, por trendi është padyshim pozitiv. Kjo nuk është vetëm si pasojë e një viti të mirë të KEK-ut, por kemi përmirësim në çdo vit të kësaj qeverisje në krahasim me periudhat paraprake. Për shembull, derisa humbjet kanë shkuar deri në 48 milionë euro për një vit përpara, prej kur kemi marrë mandatin, fitimi i ndërmarrjeve publike ka qenë mbi 20 milionë, mbi 104 milionë dhe mbi 20 milionë euro prapë në vitin 2023. Nuk është si rezultat i subvencioneve, në fakt në vitin 2022 ka pasur ulje të subvencione gati përgjysmimi, ndërsa kemi pasur një rritje të jashtëzakonshme të fitimit”, tha ajo.
Si sukses të politikave qeveritare në raport me ndërmarrjen publike, ministrja Rizvanolli e përmend Telekomin e Kosovës. Ajo thotë se Telekomi po investon në rrjet dhe cilësia e shërbimeve do të përmirësohet deri në fund të vitit.
“Telekomi i Kosovës është absolutisht e jashtëzakonshme se çka ka arritur. Kemi pasur një periudhë kur kemi trashëguar me 10 milionë euro humbje, ku ka pasur periudha paraprake edhe 20 dhe 48 milionë humbje. Ka arritur të reduktojë humbjet në vitin e parë dhe të dytë, ndërsa vitin e kaluar ka dalë me 8 milionë euro investim… Progresi veçse ka arritur për një pjesë të madhe të konsumatorëve. Duhet pasur parasysh se në Telekom qe nga viti 2015 s’ka pasur asnjë investim. Në atë vit kompania që ka prodhuar teknologjinë e Telekomit nuk funksionon më. Është mrekullueshme që Telekomi ka funksionuar me këtë teknologji. Gjatë kohës së fundit ka pasur probleme pasi ka qenë në proces të ndërrimit të teknologjisë dhe të rrjetit bërthamën. Deri më tani veçse janë bërë investime, në vitin 2022 më shumë se 120 stacione bazë janë vendosur 30 të tjera në Mitrovicë dhe Vushtrri, ndërsa në 2024 planifikohen 400 të tjera prej të cilave mbi 150 janë 5G. Në Prishtinë tani janë ndërruar të gjitha pajisjet dhe janë vendosur pajisjet 5G. Javën e kaluar është mbyllur qendra e Prishtinës dhe aeroporti, këtë javë komplet komuna e Prishtinës dhe i shtohet 5G edhe qendrave të qyteteve si Ferizaj, Vushtrri dhe Gjilani”, tha Rizvanolli.
Sa i përket Trepçës, ajo thotë se presin ndryshime nga bordi udhëheqës i sapo emëruar.
“Përgjatë viteve të fundit Trepça ka pasur shumë luhatje. Ka pasur edhe zhvillime pozitive, por edhe shumë vështirësi. Ne kemi pritje të larta nga bordi i sapo emëruar dhe nga menaxhmenti. Aktualisht ata po punojnë intensivisht për të ardhur te një plan i saktë i aktiviteteve dhe vendimeve që do t’i ndërmarrin për të stabilizuar situatën me ndërmarrjen…Sigurisht se zgjidhje ka dhe do të gjendet, por kjo zgjidhje do të jetë e bazuar në një bashkëpunim dhe mirëkuptim. Duhet të bazohet në një punë e cila mund të shpërblehet me përkrahje të qeverisë. Jo përkrahje të pakushtëzuar gjithmonë, ne e ndjejmë rëndësinë dhe peshën e Trepçës, mirëpo kjo peshë dhe rëndësi nuk do të thotë se Trepça duhet të mbështetet pafundësisht nga paratë e taksapagueseve dhe mos të ketë një ringjallje nga brenda. Presim nga Trepça që të ketë rikonstruim dhe përmirësim të menaxhimit nga brenda ndërmarrjes dhe rritje të prodhimit”, tha Rizvanolli.
Në lidhje me masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, Rizvanolli deklaron se s’ka pasur asnjë projekt që është ndërprerë apo humbur, mirëpo janë pezulluar disa të cilat kanë qenë të planifikuara për vitet e ardhshme.
“Nuk kemi pasur ndonjë projekt që është ndërprerë apo humbur. Disa prej projekteve janë pezulluar, por duke qenë se këto projekte janë të planifikuara për vitet në vijim nuk është se kemi pasur ndonjë ngecje në aktivitetet që jemi duke realizuar aktualisht”, tha ajo. /kp