Zyrtari Sadat Shkodra i përfshirë në rastin “Subvencionet 1” ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij. Shkodra hodhi poshtë akuzat kundrejtë tij me të cilat ai akuzohet për pagesa direkte në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB) nën cilësinë e zyrtarit, ku sipas pamjeve të paraqitura në video ai akuzohet për ryshfet.
Prokurori Rafet Halimi shfaqi pamjet në të cilën akuzohet Sadat Shkodra se është duke pranuar paratë nga Kushtrim Statovci për fermerin Dukagjin Mavraj, ku i njëjti shkon dhe njofton Luan Statovcin për ryshfet.
I akuzuari tha se sa i përket Dukagjin Mavrajt ishte deklaruar më herët për lëndën e tij, kurse lidhur me paratë tha se nuk ka pranuar dhe as nuk ka diskutuar me Zogajn.
Shkodra sërish mohoi akuzat edhe pasi pa pamjet. I njëjti mohoi të jetë edhe në një video tjetër, ku sipas prokurorit shihet Shkodra teksa pranon një shumë prej 500 euro.
I akuzuari Shkodra tha se në video shihet vetëm një person me kokë të ulur.
Shkodra në deklaratë tha se nuk i njeh fermerët Bekim Shala dhe Arlinda Seferin dhe nuk kishte punuar me ta. Por i njëjti theksoi se ekziston mundësia që të jetë interesuar për lëndët e tyre.
Prokurori e pyeti në lidhje me një transkriptë, ku sipas tij i akuzuari Shkodra në zyrën e drejtorit për pagesa direkte bisedon me të akuzuarin Luan Statovci.
“Në këtë transkript, Luani ju njofton se Arlinda është numri….në Raiffeisen që i kanë dalë. Bekimi është numër …. dhe ju e pyetni “edhe Arlindës, a po”. Ju merrni përgjigje, “edhe Arlindës në Raiffeisen thuj i ka”. Dhe ju kontaktoni me telefon me një person dhe e njoftoni se “hej kqyr edhe niherë aty, m’u kry janë kry të dyja, mas orës 3 janë kry”, tha prokurori Halimi të akuzuarin, duke e pyetur se për çfarë njoftimi e kishte pasur fjalën.
Sipas të akuzuarit Shkodra nuk ka diçka të keqe në këtë bisedë pasi që pagesat janë publike.
“Në këtë bisedë nuk po shoh diçka të keqe sepse pagesat janë publike. Kjo biseda është ndonjë informatë që ka kërku ndonjë zyrtar ose ndonjë fermer…”, tha Shkodra.
Sipas tij, për këtë lëndë ishte bërë edhe kontrolla në terren nga inspektorët, pastaj tha se ishte kthyer nga Drejtoria e Kontrollit dhe se raporti i terrenit ishte përshkruar edhe në sistem. I akuzuari deklaroi se kjo lëndë nuk kishte pasur asnjë mungesë.
“Po, këtë lëndë e ka lypë edhe kryeshefi ekzekutiv, Agim Nuha. E kam dërgu këtë lëndë fizikisht, në zyre, kanë qenë edhe policia hetues të regjionit të Pejës, drejtori i kontrollit të terrenit, Florim Shabani”, tha i akuzuari Sadat Shkodra.
Kurse, tha se më vonë i ishte kthyer kjo lëndë dhe se kryeshefi i kishte thënë që ta dërgojë në terren në mënyrë “pak më të veçantë, si me thanë specifike”.
“Pas një kohe më është kthy lënda në zyre dhe e kam proceduar për pagesë sipas raportit të terrenit”, tha i akuzuari Shkodra.
Ai po ashtu deklaroi se Kushtrim Zogajn e njeh si zyrtar komunal dhe mohoi që ai t’i ketë dhënë ndonjëherë para për fermerin Mavraj. Gjithashtu, mohoi të ketë biseduar me të për dosjen e fermerit Mavraj, duke theksuar se “Kjo dosje u kanë gjithçka në rregull”.
Shkodra tha se nuk e njeh fermerin Agron Krasniqi, as të jetë takuar apo të ketë biseduar me të.
Për këtë të fundit, avokati Skender Musa e pyeti në lidhje me dëshminë e tij (Krasniqit) se është takuar me të akuzuarin Shkodra dhe se i ka dhënë ryshfet në veturën e të akuzuarit.
Sadat Shkodra mohoi ryshfetin dhe takimin.
“Agroni nuk u taku me mu dhe nuk më ka dhënë ryshfet asnjëherë, madje as Golf 6 nuk kam. Ai ka mujt me ardhë në zyre m’u interesu për lëndën e tij, po nuk më kujtohet që ka qenë”, shtoi ai.
I akuzuari Shkodra në të gjitha rastet ka mohuar të ketë pranuar ryshfet.