Dialogu Kosovë- Serbi tash e një vit ka mbetur në nivel kryenegociatorësh.
Takimi Kurti- Vuçiq i fundit është mbajtur më 14 shtator 2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve.
Një takim i paralajmëruar ishte më 26 qershor i këtij viti, por ai dështoi për shkak të kushteve të kryeministrit Kurti.
Që nga atëherë ka pasur takime vetëm në nivel kryenegociatorësh, takime këto pa ndonjë rezultat.
Së fundmi, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka hartuar një raport në lidhje me situatën e përgjithshme në Kosovë, ku pos tjerash i ka bërë thirrje palëve të riafirmojnë angazhimin e tyre ndaj dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjet ekzistuese.
Ai gjithashtu ka bërë thirrje që të ketë pjesëmarrje më të madhe dhe kuptimplotë të grave përfaqësuese në dialog.
Lidhur me përfshirjen e grave përfaqësuese në dialog dhe rreth ligjit që do të mund të parashihte një udhëheqje të dialogut nga presidentja Vjosa Osmani, ka folur avokati Skënder Musa.
Musa në një prononcim për gazetën “Bota sot”, tha se baza ligjore ekziston për udhëheqjen e bisedimeve me Serbinë nga ana e presidentes.
Mirëpo, sipas tij, edhe kryeministri në bazë të nenit 94 të kushtetutës ka të drejtë të udhëheq me bisedimet, ndërsa dispozita ligjore e nenit 94 paragrafi nëntë parasheh që kryeministri të konsultohet me presidentin për zbatimin e politikës së jashtme të vendit.
“Presidenti i Republikës së Kosovës në bazë të nenit 84 paragrafi 1 dhe paragrafi 10 i kushtetutës së Republikës së Kosovës përfaqëson vendin brenda vendit dhe jashtë vendit si dhe udhëheq politikën e jashtme të vendit. Baza ligjore ekziston për udhëheqjen e bisedimeve me Serbinë nga ana e presidentes. Mirëpo edhe kryeministri në baze të nenit 94 i kushtetutës ka të drejtë të udhëheq me bisedime megjithatë atë dispozita ligjore e nenit 94 paragrafi 9 parasheh që kryeministri konsultohet me presidentin për zbatimin e politikës së jashtme të vendit. Dispozitat e kushtetutës determinojnë një bashkëpunim të ngushtë në politikë e jashtme të kryeministrit me presidenten e vendit. Mirëpo nuk duhet harruar faktin se presidenti në Kosovë ka rol aktiv në politikën e jashtme, ndërkaq qeveria dhe kryeministri janë përgjegjësit kryesorë për politikën e jashtme përfshirë këtu edhe bisedimet”, ka deklaruar Musa.
Sipas tij, në aspektin e kompetencave nuk ka asnjë pengesë që bisedimet të udhëhiqen nga presidenti.
Madje, avokati Musa, ka shtuar se presidentja mban pozitën më të rëndësishme në vend dhe ka për detyrë ta ruajë unitetin dhe të udhëheq politikën e jashtme.
“Në aspektin e kompetencave nuk ka as një pengesë që bisedimet të udhëhiqen nga presidenti, madje presidenti/ja edhe nënshkruan marrëveshjet ndërkombëtare, e që në fakt presidentja e Kosovës mban pozitën më të rëndësishme në vend dhe është e para që ka për detyrë ta ruajë unitetin dhe të udhëheq politikën e jashtme”, ka shtuar avokati.