Ragip Xhaka, babai i Granitit, ka reaguar me një postim emocionues pasi i biri i tij u nominua në listën e 30 futbollistëve pretendent për ta fituar Topin e Artë për vitin 2024.
France Football, të mërkurën publikoi listën e gjerë të të nominuarve.
Ky çmim do të dhurohet më 28 tetor.
E në lidhje me gjithë këtë gjë, ka reaguar edhe babai i Granit Xhakës.
“Djali im, Graniti, është nominuar për çmimin prestigjioz Ballon d’Or. Ai është i pari shqiptar dhe në të njëjtën kohë lojtari i vetëm zviceran që ka arritur këtë nivel në botën e futbollit, dhe për këtë jemi jashtëzakonisht të lumtur dhe të emocionuar”, ka shkruar ai.
Ky është shkrimi i plotë i tij:
Sot është një ditë e veçantë dhe e mbushur me krenari të madhe për mua dhe familjen tonë. Djali im, Graniti, është nominuar për çmimin prestigjioz Ballon d’Or. Ai është i pari shqiptar dhe në të njëjtën kohë lojtari i vetëm zviceran që ka arritur këtë nivel në botën e futbollit, dhe për këtë jemi jashtëzakonisht të lumtur dhe të emocionuar.
Puna e palodhur, përkushtimi dhe sakrificat e tij kanë bërë që ëndrrat të realizohen dhe emri i shqiptarëve të shkruhet në histori. Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen dhe dashurinë që i keni dhënë Granitit ndër vite.
Urime Granit, krenaria jonë!