Ndonëse dihej paraprakisht, Lëvizja Vetëvendosje e ka nominuar Albin Kurtin si kandidat të saj për kryeministër në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, ku përveç nominimit ka dominuar populizmi romantik i lojës me shifra dezinformuese të dala nga institucionet e shtetit të cilave nuk u beson vet Qeveria.
Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, i dyti përnga hierarkia partiake e ka çuar në qiell të parin e partisë Albin Kurtin, duke e stolisur me një meritokraci surreale për të arriturat shtetërore, në mandatin qeverisës në përfundim.
Fjalori nominues i Glaul Konjufcës për Albin Kurtin ka qenë një dramë lulesh i ngjashëm me ata të Koresë Veriore ku sentimenti romantik mvishet me lërkurën e qengjit për t’u bërë fakt i kryer.
Qe si i thur elozhe Konjufca Kurtit kur e nominon për kryeministër të vendit me qëllim të duket se po befason me diçka ku po e zbulon një njeri për të cilin sikur nuk dihet asgjë paraprakisht:
“Kush nga ne është më meritori? Kush nga ne është më i përgatituri? Po më i devotshmi, kush është?”, ishin tri pyetjet që përgjigjet ua dha vetë Konjufca.
“Ne e kemi gjetur kush është”, tha Konjufca teksa u kthye me trup nga ai që e dinte për kë flitej, pra Kurti, për të cilin aplaudohej në sallë ende pa u kryer fjalia.
“Albin Kurti”,ishte “shpikja” e Konjufcës.
Glauk Konjufca e paraqiti më pas si lider të pakontestueshëm Kurtin të cilin në një retorikë goditëse për të tjerët që i quajti suficit e ndërlidhi Kurtin si njeriun e duhur edhe për një mandat pa llogaritur që në atë moment rivalëve partiakë mund t’u ketë kujtuar me automatizëm mbetjen prej 1 miliard e 800 milionë eurove suficit nga mjetet e investimeve kapitale.
Megjithatë Konjufca ka vazhduar ta paraqet Kurtin si “intelektual të thellë” dhe “si shumë të nevojshëm edhe për mandatin Kurti 3”.
Më pas Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka sulmuar mediat si shumë herë gjatë mandatit qeverisës.
“Kurrë nuk kanë qenë më shumë media kundër qeverisë sesa në këtë katër vjeçarin tonë. Unë besoj se kjo është për dy arsye apo ndoshta shkaqe themelore. E para, sepse ne nuk i paguajmë. E dyta, sepse tash mediat nuk frikësohen më nga pushteti,” ka thënë Kurti për të aluduar me fjalë të pakontrolluara se “prandaj edhe janë kaq agresive dhe janë në gjendje të bëhen me djallin vetëm e vetëm për ta kthyer kastën e vjetër në pushtet. Por në Kosovë populli është vetëdijësuar dhe i njeh ata si parën e kuqe e si rezultat edhe efekti i kësaj fushate të baltosjes do të jetë zero.” – ka thënë Kurti, duke cilësuar përmbajtjen e mediave si sulme ndaj qeverie që ishin përshkruar si pika të dobëta të qeverisë Kurti.
“Le ta mendojmë edhe njëherë me qetësi dhe larg dezinformatave, që për sovranitetin e Kosovës, për ushtrinë tonë, për buxhetin tonë, për policinë tonë, sigurinë, dhe për të gjithë sektorët vitalë të jetës tonë institucionale, publike e shoqërore, janë të gjithë më mirë dhe shumë më mirë të organizuar sesa në vitin 2020 e më parë”.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar fuqishëm pas sulmeve të Kryeministrit ndaj mediave duke shtuar se “është koha e fundit që zoti Kurti të ndalojë së përdoruri një gjuhë të tillë të nxitjes së urrejtejes ndaj medieve, që pastaj reflektohet dhe shumëfishohet nga shumë prej votuesve të tij. Në respektim të lirisë së medies dhe lirisë së shprehjes, gazetarët dhe mediet në Kosovë duhet të lejohen që të ushtrojnë punën e tyre për të mbajtur përgjegjëse qeverinë, pa u penguar dhe intimiduar nga pushteti”.
Zhvillimi ekonomik i Qeverisë që bie ndesh me shifrat institucionale të shtetit
Lidhur me rritjen ekonomike gjatë qeverisjes së mandatit katër vjeçar Kurti ka hiperbolizuar zhvillimin në stilin komunist të vetëlavdërimit të cilin para pak ditësh e ka mohuar Banka Botërore dhe shifrat e paskta zhvillimore i ka hedhur poshtë edhe eksperti i ekonomisë Shenoll Muharremi duke i quajtur deklarata të pasakta.
“Nuk kam dëshirë Kryeministri i Kosovës me deklaru gjëra që nuk janë të vërteta se duket keq edhe ai edhe vendi ynë”, deklaroi Shenoll Muharremi.
Eksperti për ekonomi Selatin Retkoceri ka renditur shifrat e deklaruara nga Banka Botërore (BB) të cilat ndër vite janë realizuar sipas statistikave:
“Rritja ekonomike sipas Bankës Botërore ku prin Mali i Zi me mesatare prej 8.60% (2021: 13%, 2022, 6.4% dhe 2021, 6.3%). Kjo e kalon rritjen mesatare të Kosovës prej 6.1% (2021-2023”, ka thënë Retkoceri i bindur se Kosova sipas statistikave të ASK-së dhe BQK-së ka rritje mbi 3% e jo siç krenohet Kurti për rritjen ekonomike mbi 4 për qind në çdo vit që nga marrja e qeverisë, ndonëse gjatë periudhës 2009-2019 – përpara pandemisë COVID-19 – rritja ekonomike e Kosovës ishte pothuajse vazhdimisht më e lartë, apo më saktë në 8 nga 11 vite, rritja ekonomike ishte mbi 4 për qind, ndërsa në 5 prej tyre tejkaloi edhe 5 për qind.
Dy lloje shifrash qarkullojnë në Kosovë gjatë gjithë qeverisjes Kurti:
Ato që dalin nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), si papunësia, migrimet jashtë vendit, rritja ekonomike, papunësia dhe shumë të dhëna tjera që Qeveria Kurti i interpreton ndryshe nga ajo që i konfirmon institucioni.
Qeveria Kurti ndryshe interpreton edhe shifrat e BB-së dhe BQK-së për rritje ekonomike dhe ndryshe edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK).
Qeveria Kurti flet gjithnjë ndryshe nga mediat duke i sulmuar ato kur dalin me shënime zyrtare.
Ky fjalor jashtë institucional i Qeverisë Kurti, sjell mjegull në opinion rreth faktit se pranë kujtë janë argumentet.
Një raport studimi ka publikuar Fondacioni Friedrich Elber (FES) rreth qëndrimit të rinisë së kosovare për besueshmëri në norma sociale si standard shoqëror, në vlera sociale, punësim dhe dinamikë politike e te kjo e fundit rinia e Kosovës në shumicë nuk i beson Qeverisë së Kosovës dhe ky raport sipas shifrave tregon:
Raporti thotë se 46 për qind të të rinjve kosovarë nuk janë fare të interesuar për politikën, 37 për qind nuk dinë “asgjë fare” për politikën dhe vetëm 14 për qind prej tyre do të merrnin pozitë politike.
Veç kësaj, vetëm dy për qind të të anketuarve besojnë që interesat e të rinjve përfaqësohen “mirë” në politikën kombëtare./Telegram News