Kryeministri Robert Golob deklaroi se qeveria e Sllovenisë miratoi vendimin për njohjen e shtetit palestinez, në ndjekje të hapat e Spanjës, Irlandës dhe Norvegjisë.
“Sot qeveria ka vendosur ta njohë Palestinën si shtet të pavarur dhe sovran,” tha ai në një konferencë shtypi në Ljubianë.
Qeveria e vendit anëtar të Bashkimit Evropian që mori këtë vendim, duhet të pres edhe fjalën përfundimtare ngaa parlamenti.
Veprimi i Sllovenisë përfshihet në një përpjekje më të gjerë të disa vendeve për të koordinuar presionin ndaj Izraelit për të përfunduar konfliktin në Gazë.
Më 28 maj, Spanja, Irlanda dhe Norvegjia zyrtarisht njohën shtetin palestinez, duke shkaktuar reagime të ashpëra nga Izraeli.
Nga 27 anëtarët e Bashkimit Evropian, Suedia, Qipro, Hungaria, Republika Çeke, Polonia, Sllovakia, Rumania dhe Bullgaria tashmë e kanë njohur shtetin palestinez. Malta mund të jetë shteti i ardhshëm që merr një vendim të ngjashëm.
Britania e Madhe dhe Australia po ashtu kanë njoftuar se po konsiderojnë aktin e njohjes së shtetit palestinez, por Franca ka thënë se aktualisht nuk është koha për një veprim të tillë.
Gjermania është radhitur krahas aleatit kryesor të Izraelit, Shteteve të Bashkuara, duke kundërshtuar qasjen e njëanshme ndërsa këmbëngul që një zgjidhje me dy shtete mund të arrihet vetëm përmes dialogut.
Parlamenti danez hodhi poshtë një dekret për njohjen e shtetit palestinez të martën.
Norvegjia, që drejton një grup donatorësh ndërkombëtarë për palestinezët, deri vonë ka ndjekur kursin e Shteteve të Bashkuara, por ka humbur besimin se një strategji e tillë do të sjellë rezultate.
Izraeli po lufton kundër Hamasit, që kontrollon Gazën, pas sulmit të 7 tetorit kur militantët e këtij grupi sulmuan vendbanime izraelite duke vrarë 1,200 banorë dhe duke rrëmbyer mbi 250 të tjerë, sipas të dhënave izraelite. Rreth 130 pengje besohet se ende mbahen në Gazë.
Sipas zyrtarëve shëndetësorë në Gazë, mbi 36,000 palestinezë janë vrarë në luftë gjatë shtatë muajve të fundit. /GazetaPuls/