Gjermania i kërkoi Izraelit të hënën që të “braktisë” një plan për të dyfishuar popullsinë që jeton në Lartësitë e Golanit të pushtuara dhe të aneksuara në skajin jugperëndimor të Sirisë.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme tha se “është krejtësisht e qartë sipas ligjit ndërkombëtar se kjo zonë e kontrolluar nga Izraeli i përket Sirisë dhe se Izraeli është një fuqi pushtuese”, shkruajnë mediat e huaja.
Zëdhënësi, Christian Wagner, shtoi se Berlini i bëri thirrje aleatit të tij Izraelit “të braktisë këtë plan” të shpallur të dielën nga qeveria izraelite.
Ndryshe, Izraeli ra dakord të dielën të dyfishojë popullsinë e tij në lartësitë e pushtuara të Golanit, ndërsa tha se kërcënimet nga Siria mbetën pavarësisht tonit të moderuar të liderëve të opozitës që rrëzuan Bashar al-Assad një javë më parë.
Izraeli pushtoi pjesën më të madhe të rrafshnaltës strategjike nga Siria në Luftën Gjashtë Ditore të vitit 1967, duke e aneksuar atë në vitin 1981.
Në vitin 2019, presidenti i atëhershëm Donald Trump deklaroi mbështetjen e SHBA për sovranitetin izraelit mbi Golanin, por aneksimi nuk është njohur nga shumica e vendeve. Siria kërkon tërheqjen e Izraelit, por Izraeli refuzon, duke përmendur shqetësimet e sigurisë. Përpjekje të ndryshme për paqen kanë dështuar.