Kosova pritet të bëhet me Muze të Gjenocidit dhe Përpjekjes për Liri. Ky propozim-vendim është miratuar në mbledhjen e Qeverisë.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë tha se ky muze ka për synim dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të Ish-Jugosllavisë ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në vendin tonë.
Ai shtoi se Muzeu po ashtu do të jetë rikujtesë dhe dëshmi se megjithatë Kosova ka ngadhënjyer.
“Ende është e rëndë dhimbja e pikëllimi nga vrasjet, masakrat dhe krimet e forcave ushtarake policore të Serbisë, të urdhëruara e të kryera nga shteti i Serbisë mbi shqiptarët në Kosovë. Gjeneratat e reja duhet ta kenë mundësinë e njohjes së të kaluarës sonë, të dëshirës për të jetuar në liri dhe dashurisë së pareshtur për Kosovën. Të gjitha provat dhe dëshmitë të kryetra nga shteti serb në Kosovë, të mbledhura nga organizata dhe gjykata ndërkombëtare tash po grumbullohen dhe po vazhdojnë të sillen në instirtucionet e Republikës së Kosovës për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e kujtesës kolektive. Vendi ynë do të ketë një muze të dinjitetshëm ku do të tregohen krimet e ish Jugosllavisë dhe Serbisë ndaj vendit tonë. Ky muze është dëshmi e krimeve monstruoze e gjenocidale, aq edhe dëshmi se Kosova ka ngadhënjyer”, tha Kurti.