Partitë tradicionale të Kosovës që sot përfaqësojnë bllokun opozitarë, po përgatiten të jenë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit për ta bërë qeverinë dhe për ta çuar Kurtin në opozitë, por premtimet miliardëshe në investime kapitale dhe në rritje pagash e krijim fondesh të caktuara, mund ta penalizojnë çdo qeveri për t’i zhgënjyr qytetarët.
PDK dhe LDK janë parti të cilat ardhjen në pushtet e kanë projektuar mbi vlerat ekonomike si rritja e pagave për 50% në sektorin publik, qysh në muajt e parë të qeverisjes, rritjen e pensioneve në 70% dhe barëra falas për shtresën e tillë, ndërtim të fondit të sigurimeve shëndetësore për qytetarët, rritje pagash për veteranët e UCK-së, për familjet e dëshmorëve dhe martirëve, 25 milionë euro bursa dhe kredi për studentët, mbështetje të sektorit privat me grante e subvencione dhe krejt këto me një buxhet rreth 3 miliardë e 500 milionë euro në dispozicion.
Pozicionimi i Bedri Hamzës dhe Lumir Abdixhikut, kandidatë për kryeministër nga PDK dhe LDK për të bërë fushatë mbi premtime që të paktën kërkojnë buxhet vjetor mbi pesë miliardë për t’i mbuluar premtimet, mund ta degradojnë besimin qytetarë kur dihet se Kosova ka një buxhet prej rreth 3 miliardë e 500 milionë euro.
Në Kosovë marrin pensione rreth 300 mijë qytetarë që paguhet me rreth 280 milionë euro në vit.
Fondi shëndetësor për të cilin asnjë kandidat për kryeministër nuk ka program të elaboruar si do të bëhet dhe cila do të ishte shifra minimale pa të cilën ai nuk mund të nis funksionimin, zor se mund të bëhet pa një të katërtën e buxhetit.
Rritja për 70% e pensioneve dhe 50% e pagës së sektorit publik, gjithashtu janë sfidë për cilindo kryeministër që të përmbush premtimet elektorale në qeverisjen mandatarë.
Megjithatë huqjen më të madhe në kalkulime buxhetore e ka bërë kryeministri Albin Kurti.
Mr. Sc. Selatin Retkoceri analist, sjell disa fakte të huqjes së Kryeministrit Kurti i cili, gjatë kësaj fushate nuk di ta dallojë pagën minimale nga paga bazike.
Kryeministri Kurti nuk e kupton pagën minimale nga paga bazike
“A ka ndokund në Vetëvendosje apo në Qeveri një ekonomist që guxon t’i thotë kryeministrit “boll më se na bane horë”, me këso lloj deklaratash publike që nuk ka njeri që mund të t’i kuptoj. Po e citojmë kryeministrin se çka tha në një tubim me qytetarët ku pagën minimale ua shpjegon qytetarëve në këtë mënyrë: “Ne e gjetëm pagën minimale 130.00 gjegjësisht 175.00€, gjatë mandatit tonë e rritëm në 350,00€, kurse menjëherë posa ta marrim mandatin e tretë do ta rrisim pagën minimale në 500,00€”, deri këtu edhe mund të jetë në rregull shpjegimi i kryeministrit, por kur fillon t’u tregoj të pranishmëve se çka do të thotë paga minimale, e huq komplet shpjegimin pagën për pagën minimale në praktikën e zbatimit nga një ndërmarrje private ku ai pohon: “merreni me mend se çka do të thotë kjo rritja që planifikojmë në mandatin tonë të tretë për shembull. Një punëtor që punon në një biznes privat, aty ku punëtori paguhet me pagë prej 700,00€ dhe kur kësaj page i shtohet edhe paga minimale prej 500,00€, kjo i bie që punëtori për një muaj do të marrë rrogë prej 1,200.00€”. Nëse ka një ekonomist qoftë ai edhe ministri i financave Hekuran Murati që të na e zbërthen këtë ekuacion të kryeministrit, i lutemi që për hir të qytetarëve e sidomos të atyre të mjerëve që ishin aty dhe nuk reaguan apo nuk e përmirësuan kryeministrin, le të dalë dikush e le të na e zbërthej këtë gafë të radhës nga kryeministri i cili siç duket vërtetë është duke e trajtuar së paku votuesin e tij si “analfabet funksional”. Kryeministër të lutem së paku mos i bëjë këto me qëllim sepse po na e fyeni inteligjencën që ndoshta nuk e kemi të zhvilluar sa tënden, por së paku nuk mund të na mashtrosh me broçkulla kaq naive e shumë fyese për një shkollar të mesëm”. /Telegram News