Një person dyshohet se është plagosur me armë zjarri sot rreth orës 15:00 në Hajvali. I dyshuari tashmë është identifikuar dhe policia është në kërkim të tij.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.
“Sot rreth orës 15:00 policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në Hajvali. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se me armë zjarri është plagosur një person, i cili është dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë Ahmeti.
Rasti është cilësuar si “vrasja në tentativë”.
“Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore dhe lidhur me këtë rast i cili është cilësuar si vrasje në tentativë, janë në kërkim të personit të dyshuar L.K, mashkull”, ka shtuar Ahmeti.