Misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), është shprehur i shqetësuar për vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për të mos e certifikuar Listën Serbe.
OSBE-ja përmes një komunikate për media ka bërë thirrje që KQZ-ja ta ruajë integritetin e procesit zgjedhor në Kosovë.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka luajtur një rol thelbësor në promovimin e demokracisë dhe lirive politike në Kosovë për dekada me radhë, me mbështetje të vazhdueshme nga OSBE-ja. Misioni shpreh shqetësimin se sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e certifikoi Listën Serbe”.
“Procesi i certifikimit është një çështje procedurale që mbështet zgjedhjet demokratike dhe duhet të jetë i lirë nga konsideratat politike”, thuhet në njoftimin e OSBE-së.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, të cilat janë caktuar të mbahen më 9 shkurt 2025.
Përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet kanë kundërshtuar certifikimin e kësaj partie nën argumentin se ajo është kundër shtetit të Kosovës.
Disa prej arsyeve për moscertifikimin e forcës kryesore politike të serbëve janë vlerësuar thirrjet nacionaliste të kryetarit të saj, Zllatan Ellek, gjatë prezantimit të listës së kandidatëve për zgjedhjet e shkurtit, krahas mirëmbajtjes së kontakteve me terroristin serb, Millan Radoiçiç, i cili kërkohet nga organet e drejtësisë në Kosovë.
Për certifikimin e kësaj partie kontraverse ka votuar vetëm kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, kundër janë shprehur dy anëtarët e LVV-së në pushtet, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, duke përmendur thirrjet e krerëve të Listës Serbe kundër Kosovës, ndërsa të tjerët kanë abstenuar, përfshirë përfaqësuesit e partive opozitare në KQZ.