Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve I.G., B.R., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, më datë 04.04.2022 në Prizren, në cilësinë e personave zyrtarë – i pandehuri I.G., si menaxher i Njësisë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore në kuadër të Komunës së Prizrenit, dhe i pandehuri B.R., si zyrtar i lartë për personel i Njësisë në fjalë – njëkohësisht duke qenë edhe si anëtarë të komisionit rekrutues lidhur me konkursin e shpallur nga Komuna e Prizrenit më datë 03.03.2022 – të publikuar më datë 04.04.2022 – për rekrutimin e 12 mjekëve të përgjithshëm në QKMF-të, e Komunës së Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, në bashkëkryerje, nuk i përmbushin detyrat zyrtare.
“Ata vepruan kështu me qëllim që personi tjetër të përfitojë dobi pasurore, apo me qëllim që t’i shkaktojnë dëm ose edhe t’ua shkelin të drejtat personave të tjerë – kandidatëve të tjerë konkurues, në atë mënyrë që gjatë kontrollimit të dosjeve të aplikimit të kandidatëve konkurues në konkursin në fjalë, qëllimisht neglizhojnë kushtin e licencës së punës të paraparë si njërin nga kriteret bazike sipas konkursit në fjalë, ashtu që edhe pse kandidatët konkurrues A.N., B.M., A.G., dhe V.M., nga momenti i aplikimit e deri në mbylljen e afatit të konkursit, nuk ishin të pajisur me licencë të punës, të njëjtit megjithatë ia aprovojnë dosjen e aplikimit si të rregullt, ashtu që në kundërshtim me kushtet paraprake të konkursit, i mundësojnë kandidatëve në fjalë të marrin pjesë në test me shkrim dhe me gojë, si dhe të përzgjidhen si kandidatët fitues të vendit të punës si mjek. Në këtë mënyrë, të pandehurit I.G., dhe B.R., kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Derisa Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.