Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami qenka mundu me e demantu kryeministrin e vendit, Albin Kurtin për shifrat e punësimit në Kosovë.
Por që sipas tij, krejt çfarë ka arritur të bëjë është që së pari t’a shpërfaqë mungesën e njohurive të veta për temën në fjalë, dhe së dyti, edhe me të dhënat që vetë deputetja ka përdorur sipas tij, e ka konfirmuar atë çfarë ka thënë Kurti, pra që ka rritje të punësimit.
Derisa sa i përket asaj se cilat shifra tregojnë pasqyrën më të saktë të punësimit, shifrat e ATK-së apo ato Trustit, Murati tha se deputetja Bajrami do duhej ta dinte që ATK-ja raporton numrin e të punësuarve bazuar në deklarimet tatimore të punëdhënësve, ndërsa Trusti, në tabelën që ka përzgjedhur deputetja i raporton llogaritë që kanë pranuar kontribute në muajin përkatës. Pra sipas Muratit, janë dy shifra që tregojnë gjëra të ndryshme.
Madje Murati tha se është për keqardhje që deputetë që mbulojnë fushën e ekonomisë, e madje edhe ligjërojnë në universitet, kanë njohuri kaq të cekëta për fushën, përcjell, TelegramNews.
“Si rezultat i kësaj mënyre të regjistrimit, Trusti çdoherë do të duket se deklaron më pak të punësuar sesa ATK-ja në një muaj të caktuar sepse ka shumë punëdhënës që përderisa deklarimin në ATK e bëjnë me rregull e çdo muaj, pagesën e kontributeve në Trust jo të gjithë e bëjnë çdo muaj. Nga tabela që ka prezantuar deputetja, lehtë vërehet që shifrat e Trustit pësojnë ngritje çdo të tretin muaj, gjë që e konfirmon këtë dallim në mënyrën e regjistrimit, sepse nuk është se çdo të tretin muaj punësohen më shumë njerëz vetëm për atë muaj, por sepse pagesa e kontributeve bëhet për 3 muaj përnjëherë. Kurse sa i përket numrit të llogarive aktive në Trust, edhe sipas vetë krahasimeve dhe aritmetikës së deputetes, rezulton se janë shtuar 55 mijë vende pune. Por kjo merr parasysh vetëm shifrat deri në dhjetor 2023. Nëse duam të kemi krahasim me shifra të përditësuara, gjithnjë duke përdorur treguesin që vetë deputetja Bajrami ka përzgjedhur, sipas raportit të fundit tremujor të Trustit, në muajin qershor 2024 kanë qenë 399,585 llogari aktive, pra që kanë pranuar kontribute. Kur e krahasojmë këtë me muajin mars 2021, kur Qeveria Kurti kishte marrë qeverisjen, ku në Trust ishin deklaruar 330,988 llogari aktive, del se përgjatë kësaj periudhe, sipas metodologjisë së vetë dpeutetes Bajrami, janë shtuar 68,597 llogari aktive, apo shprehur në përqindje saktësisht 20.7%.
Prandaj, edhe me shifrat e deputetes Bajrami, vetëm sa konfirmohet ajo çfarë ka thënë Kryeministri Kurti. Për fund, është për keqardhje që deputetë që mbulojnë fushën e ekonomisë, e madje edhe ligjërojnë në universitet, kanë njohuri kaq të cekëta për fushën”, tha Murati në reagimin e tij në Facebook.
Deputetja e LDK-së, ka thënë se numrat nuk tregojnë “lulëzim të punësimit”.
Sipas saj, ”është e vërtetë se papunësia është ulë”, por kjo ka ndodhur “sepse fuqia punëtore ka ikë nga Kosova”.
Madje sipas Bajramit, të dhënat e ATK-së nuk e paraqesin punësimin real./TelegramNews./