Charles Kupchan, ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, beson se veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri të vendit, janë të motivuara nga politika e brendshme, përpara zgjedhjeve të shkurtit, por thekson se ato janë të rrezikshme për Kosovën.
Të premten e kaluar, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti mbylli disa institucione paralele serbe në veri të vendit.
Aksioni nxiti reagimin e NATO-s, Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera perëndimore, të cilat e cilësuan si “të pakoordinuar” me aleatët perëndimorë dhe me rrezik për sigurinë.
“Për mua, këto janë gjeste dhe manovra në nivel të politikës së brendshme, të cilat mund të jenë të mira për fatin politik të [kryeministrit Albin] Kurti, por nuk janë të mira për Kosovën”, thotë Kupchan për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, Kosova duhet ta balancojë ushtrimin e sovranitetit me synimin për t’i normalizuar marrëdhëniet me Serbinë dhe për t’u bërë vend anëtar i BE-së dhe NATO-s.
REL: Kosova u përball në fundjavë me disa nga kritikat më të ashpra ndërkombëtare kundër saj, pas mbylljes së disainstitucioneve paraleleserbe në veri. SHBA-ja tha se ky veprim pasqyron “përkeqësimin e marrëdhënieve tona”. NATO-ja u shpreh, po ashtu, e zhgënjyer. Sa serioze mendoni se është situata?
Kupchan: Mendoj se është veçanërisht shqetësuese, sepse vjen pas një sërë hapash që ka ndërmarrë Qeveria e Kurtit – prej se ka ardhur në pushtet – e që kanë penguar dialogun me Serbinë dhekanë rrezikuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian.
Qoftë ndalimi i përdorimit të dinarit, qoftë detyrimi për ndryshimin e targave, përpjekja për hapjen e urës së Ibrit, përpjeka e njëanshme për t’i instaluar kryetarët e komunave në veri, edhe pse janë zgjedhur nga një pakicë e vogël votuesish, apo tani mbyllja e këtyre institucioneve paralele… këta nuk janë hapa të dobishëm.
Por, tani që zgjedhjet në Kosovë janë shpallur për muajin shkurt, mendoj që Kurti po pozicionohet për t’ia dalë mirë në atë proces.
E dimë se kudo në botë, por sidomos në Ballkan, nacionalizmi funksionon mirë.
Unë mendoj se Kurti po e bën pikërisht këtë. Por, sipas vlerësimit tim, është dritëshkurtër, sepse e minon mbështetjen e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare dhe nuk ndihmon për ta çuar përpara dialogun me Serbinë – përkundrazi, e kthen prapa.
Për mua, këto janë gjeste dhe manovra në nivel të politikës së brendshme, të cilat mund të jenë të mira për fatin politik të Kurtit, por nuk janë të mira për Kosovën.
REL: Por, sa ka kuptim ky presion ndaj Kosovës kur dihet se për shuarjen e strukturave paralele ekziston një marrëveshje e arritur në Bruksel?
Kupchan: Mendoj se ka kuptim, sepse korniza [e Marrëveshjes së Ohrit] – që është krijuar pastaj nga BE-ja, dhe për të cilën Kurti dhe [presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq kanë rënë dakord, edhe pse nuk e kanë nënshkruar – bazohet në reciprocitet, në të ecurit përpara bashkë dhe jo ndaras.
Kritikat janë të nevojshme. Kosova dhe Serbia kanë zgjedhje të vështira për të bërë. Udhëheqësit e tyre përballen me stimuj të brendshëm, për të bërë pikërisht atë që Kurti po bën. Dhe, duke kritikuar Prishtinën nga jashtë, bashkësia ndërkombëtare krijon stimuj për Kurtin, për Vuçiqin, për të tjerët, që të lëvizin në një drejtim më konstruktiv. Pra, nuk është vetëm një kritikë e thjeshtë, është një kritikë që synon t’i rregullojë politikat që ndjekin palët.
REL: Sa keq mund të shkojnë gjërat?
Kupchan: Ne kemi parë tashmë shpërthime dhune. Nuk besoj se po shkojmë drejt një dhune të madhe, por nuk përjashtohet. Kemi parë që edhe KFOR-i e ka rritur nivelin e forcave. Ditëve të fundit, kam parë fotografi të trupave që qëndrojnë mes urës së Ibrit. Supozoj se mund të jenë shqetësuar për kalimin e mundshëm të aktivistëve, që do të përpiqeshin të nxisnin telashe.
Është një moment i tensionuar dhe për mua kjo është një nga arsyet përse komuniteti ndërkombëtar e ka ngritur nivelin e vigjilencës.
REL: A mund të ndodhë që SHBA-ja ose NATO-ja t’ia kthejë shpinën Kosovës?
Kupchan: Unë nuk besoj se kjo është një pikë kthese në mbështetjen e Perëndimit për Kosovën. Por, është e rëndësishme që qytetarët e Kosovës ta kenë parasysh faktin se po të mos ishin përpjekjet e Shteteve të Bashkuara, përpjekjet e NATO-s dhe të partnerëve evropianë të Amerikës, Kosova ndoshta nuk do ta gëzonte pavarësinë sot.
Për rrjedhojë, ju nuk dëshironi ta rrezikoni mbështetjen e jashtme, që në shumë aspekte është thelbësore për sigurinë tuaj dhe për qëndrueshmërinë tuaj si vend i pavarur.
REL: A mendoni se Qeveria e Kosovës mund të gjejë ndonjë mes – edhe të shtrijë ligjshmërinë dhe sovranitetin, edhe t’i ruajë marrëdhëniet e mira me komunitetin ndërkombëtar?
Kupchan: Realiteti është se hapat që po ndërmerr Kurti, nuk janë të paarsyeshëm nga këndvështrimi i ushtrimit të pushtetit sovran. Atë që po bën Prishtina, do ta bënte çdo qeveri sovrane.
Nëse në Teksas, për shembull, Meksika do të hapte institucione paralele dhe do të ofronte kujdes shëndetësor, siguri dhe lloje të tjera shërbimesh komunale, Shtetet e Bashkuara nuk do të ishin të lumtura dhe, në fakt, do t’i mbyllnin ato institucione paralele.
Kështu që, nga perspektiva e autoritetit politik dhe ligjor, ajo që po bën Kurti, ka shumë kuptim. Por, problemi është se Kosova nuk gjendet në një mjedis të qetë.
Ajo gjendet në një mjedis të tensionuar, në një rajon të vështirë, në mes të negociatave shumë të vështira me Serbinë për njohjen e saj, për hyrjen e saj në bashkësinë ndërkombëtare të kombeve, si një vend që do të pranohej nga të gjithë.
Në rrethana të tilla, unë mendoj se i takon udhëheqësit – kushdo qoftë ai – që të balancojë ushtrimin e sovranitetit, të të drejtave politike dhe ligjore me synimin për t’i normalizuar marrëdhëniet me Serbinë dhe për t’u bërë vend anëtar i BE-së dhe NATO-s.
REL: Por, Kosova ndjen po ashtu se nuk trajtohet në mënyrë të barabartë nga bashkësia ndërkombëtare. Këtë kritikë ndaj Bashkimit Evropian e ka përsëritur të shtunën edhe presidentja Vjosa Osmani kur ka thënë se Kosova nuk ka barazi në procesin e dialogut me Serbinë. Si do t’i komentonit këto pretendime?
Kupchan: Unë mendoj se gjithmonë duhet pasur parasysh fundin. Në çdo front të caktuar, qoftë për dinarin, për targat apo për institucionet paralele, Kosova ka të drejtë të thotë se nuk po na trajtoni me drejtësi, se ne duam të jemi një vend si çdo vend tjetër.
Por, në anën tjetër, nëse gjykohet sjellja e Kosovës nga perspektiva se a e ndihmon kjo gjë atë, a e çon drejt vijës së finishit, si dhe a e afron Gadishullin Ballkanik më pranë pluralizmit, multietnicitetit, stabilitetit dhe integrimit në institucionet atlantike, atëherë ka një përgjigje tjetër – këta hapa nuk janë të dobishëm.
Nisur nga fakti se bashkësia ndërkombëtare i ka sytë te qëllimi i fundit, unë mendoj se kritikat ndaj Qeverisë në Prishtinë janë të justifikuara.
REL: E përmendët më herët urën e Ibrit. Komuniteti ndërkombëtar e ka paralajmëruar Kosovën kundër hapjes së saj për qarkullimin e makinave në këto momente. Marrë parasysh ngjarjet e fundit, a është reale të pritet që Kosova mund ta bëjë një veprim të tillë këto ditë?
Kupchan: Mendoj se ngjarjet e fundit e bëjnë edhe më të rrezikshme hapjen e njëanshme të urës. Sepse, mbyllja e institucioneve paralele sigurisht që do ta mobilizojë popullatën shumicë serbe në veri që të jetë vigjilente, të thotë se ju po bëni gjëra që kërcënojnë cilësinë tonë të jetesës dhe lidhjet tona me Serbinë. Pra, nuk është koha për të ndërmarrë hapa që, potencialisht, mund të çojnë në përplasje midis shqiptarëve etnikë dhe serbëve etnikë.
REL: I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi,Mirosllav Lajcak, ka paralajmëruar të dielën përpjekje të reja për ripërtëritjen e dialogut Kosovë – Serbi. A mendoni se mund të ketë ndonjë rezultat?
Kupchan: Herët a vonë, po. Me gjasë, më vonë. Tani për tani, nuk duket se jemi në një situatë, ku ka përpjekje konstruktive nga Prishtina dhe Beogradi. Rundi i fundit i bisedimeve, në të cilin Kurti dhe Vuçiq është dashur të takohen, nuk është zhvilluar kurrë. Kjo nuk është një shenjë e mirë.
Me afrimin e zgjedhjeve në Kosovë, dyshoj se do të shohim ndonjë qasje ndryshe nga Prishtina. Për pasojë, mendoj se përparimi në dialog ndoshta do të duhet të presë zgjedhjet e shkurtit.