I njohur si “Gangsteri i Prishtinës”, Gani Kolovica, pin çdo ditë kafenë e mëngjesit në kafenetë “Korabi” pranë Gjimnazit “Sami Frashëri” në Prishtinë për t’u takuar dhe përshëndetur me njerëzit e brezit të vet që kanë filluar të rrallohen. I madh në shpirt dhe i frikshëm në sy, ai duket sikur akoma kujdestaron Prishtinën për t’ua treguar vendin bandave dhe njerëzve që prishin rendin shoqëror në kryeqytet, ndonëse në moshë dhe shëndet të thyer.
Kur i përmendej emri, kishte të tillë që dridheshin. Gani Krasniqi që në Prishtinë njihet si Gani Kolovica, ka një karrierë famoze në fushën e luftërave private përmes stilit fer, që ishte frymë e viteve të shtatëdhjeta.
Lufta fer, nuk kishte pas vetes policë as shtet, por pas saj qëndronin besnikëria dhe rregullat e pashkruara që rrespektoheshin në përpikëri prej akterëve që rriheshin në vendin e caktuar.
Gani Kolovica, 30 vjet beteja, nuk ka dal kurrë humbës. Jeta e tij prej kampioni është përshkruar me një besnikëri të rrallë burri dhe pastërtie njerëzore e kombëtare që rrallë hasen ndokund në botë. Ja kishte ënda për fuqi, por atë nuk e vinte në shërbim të së keqes.
Karriera e tij është një ekspozim burrëror në shërbim të njerëzve të pambrojtur, në shërbim të kombit dhe të mposhtjes të së keqes.
Ishte ai që për herë të parë krijoi rend në korzonë e Prishtinës, duke ua treguar bandave serbe të kohës, vendin në shëtitore.
Ishte ai që krijoi rend të ri ndëretnik në Prishtinë, duke përjashtuar rregullat e shtetit, ku serbët që trashëgonin fuqinë institucionale të dhunës, u “pajtuan” nën grushtet e tij, të lëshonin pe para njeriut të quajtur Gani Kolovica.
Afirmitetin më të madh e arriti në prag të vitit 1970. Kur në parkun “Tok bahçe” të Prishtinës, rrahu Zhelko Razhnjatoviq i njohur si Arkani që ishte prijës i bandave serbe, e që vinte te dajallarët e vet në Prishtinë.
Përgjakja e Arkanit nga grushtet e forta të Gani Kolovicës, këtij të fundit i dha epitetin e kampionit të pamposhtur dhe këtu u formua vija e kuqe për bandat serbe bë Prishtinë, ku kampioni e kishte fjalën kryesore.
Në vitin 1989-1990, u kyç në mbrojtje të shkollave shqipe në Prishtinë, duke i pastruar oborret e shkollave nga huliganët që e pengonin procesin mësimor shqip në arsimin paralel të Kosovës, nën dy palë rreziqe, nga bandat e huliganëve dhe nga policët serbë.
Në një gjendje kur ai e kishte ndryshuar imazhin, sërish iu imponua zanati i vjetër, konfrontimi me huliganët që mendonin se ai tashmë ishte plakur.
Për shumë vite Gani Kolovica ishte në mbrojtje zyrtare të shkollave shqipe në Prishtinë, gjë që e dinin fare pak njerëz.
Edhe më pak njerëz e dinin se ai ishte në listën e pagave të punëtorëve të arsimit, me pagë të barabartë me arsimtarët.
Pas kësaj kohe, ai u bë pjesëtar i UÇK-së ku zyrtarisht ishte polic ushtarak.
Sot Gani Kolovica është invalid iluftës së UÇK-së. Thotë se më i lumtur ishte gjatë kohes së UÇK-së sesa sot!
Duke qene se Gani Kolovica, është kapitull i pambyllur i një bote shumë inteligjente e të fuqishme të dijes dhe duke qenë se ai ka qenë nxënës i shkëlqyeshëm në shkollë pa bërë kurrë incidente si dhe luftërat fer në të gjithë Jugosllavinë, sot kur gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë gazeta Telegram News, ka arritur të zhvillojë bisedë për të gjitha gjërat më të mëdha që janë virtyt i jetës dhe veprës së tij.
Telegram News: Kush, në fakt ishte Gani Kolovica?
Gani Kolovica: Kolovica është katundi im, Kolovica e vjetër, prej nga edhe mora mbiemrin në popull dhe në fakt më shumë edhe sot më njohin me këtë mbiemër, ndonëse mbiemri im është Krasniqi, por edhe unë në rrjete sociale çdo kund, ndajë shënimet me Gani Kolovica. Dikur Kolovica ishte si një fshat në vete e tash më shumë lagje e Prishtinës.
Telegram News: Të kanë njohur dikur si “Gangesteri i Prishtinës”?
Gani Kolovica: Ka qenë frymë e kohës të rriheshim fer. Ka qenë dyluftimi në vende të caktuara ku i kemi matur forcat. Krejt kjo ka ndodhur në rini. Vendi i dyluftimit ka qenë parku “Tok bahçe” në Prishtinë. Aty kam rrahur edhe një bandit të madh që u vra para do vitesh në Beograd dhe me njeriun që ka marrë pjesë në masakrat ndaj popullit tim në Kosovë, Zhelko Razhnjatoviq – Arkan nga Beogradi. Ai i kishte dajallarët në Prishtinë dhe vinte shpesh nga Beogradi këtu. Ka qëndruar shumë në Prishtinë dhe e njihte shumë mirë Prishtinën.
Telegram News: Si ndodhi dyluftimi?
Gani Kolovica:Arkani kishte dëgjuar për mua që isha shumë i fortë. Kjo nuk i pëlqente, sepse ai e mbante primatin e më të fortit edhe në Prishtinë. Ai donte ta mbante fuqinë e më të fortit, fuqinë e të qenunit kampion në Jugosllavi.
E pengonte emri im dhe zhvillimi im si forcë në ardhje. Po me gjasë, krejt poenta binte mbi politikë, se nëse unë bëhesha kampion, bandat serbe në Prishtinë që ishin të shumta, duhej t’i nënshtroheshin emrit tim, pra Gani Kolovicës, e nëse kjo ndodhte, atëherë bandat serbe duhej të shuheshin në Prishtinë e kjo nuk ishte e vogël sepse ata ishin në korzonë e Prishtinës gjithkund, ata mbanin reputacionin kudo në shkolla deri te Normalja e Gërmisë. Po të dilte dikush ta merrte primatin e më të fortit, ndryshonin gjërat në Prishtinë, ashtu sikur edhe ndodhi në realitet.
Ai nuk më kishte llogaritur mua si të fortë në listën e tij të gjatë me emrat që i kishte renditur t’i rrihte. Me të arritur në Prishtinë e kishte dërguar një shok timin për të kërkuar që të rriheshim fer e unë pranova.
Arkani kishte marrë shokët e vet, e unë e kisha grupin tim, në të cilin bënin pjesë, kryesisht vëllezërit dhe kushërinjtë e mi, sepse llogatisha gjithmonë se nuk do më lënin në baltë në asnjë moment të vështirë të rrahjes.
E kemi nisur rrahjen në “Tok bahçe” dhe jemi rrahur gjysmë ore. E kam rrahur me grushte e shqemla, saqë e kam lënë të përgjakur të tërin , siç thotë populli të “të larë në gjak”.
Kur e kam rrëzuar, siç ka qenë rregulli i dorëzimit, ai i ka rënë tokës tri herë me dorë në shenjë të pranimit të humbjes, e pasi është ngritur në këmbë ma ka zgjatur dorën dhe aty ka përfunduar rrahja me Arkanin.
Telegram News: Sa ishte e vështirë ta pranoje dyluftimin me Arkanin?
Gani Kolovica: Ka qenë guximi elementi kryesor i dyluftimit fer, por me Arkanin ishte më shumë se kaq, sepse ai kishte edhe lidhje me policinë e atëhershme dhe mund të bënte gjëra edhe pas shpinës sime.
Guximi im e kishte burimin te kombi shqiptar dhe liria nga serbët. E dija se po e munda Arkanin, ishte fundi i bandave serbe në Prishtinë e kur ishte fundi i tyre, ishte fuqizimi ynë shqiptar në kryeqytet dhe ngadale mund të bëhej një strategji e humbjes dhe nënshtrimit të serbëve.
Kjo më bënte të mos kisha frikë prej Arkanit, e prej asnjë serbi tjetër në prishtinë, sepse kishte edhe “kapadainj tjerë , si bie fjala Bane, që udhëhiqte bandat serbe kundër shqiptarëve.
Telegram News: Sa ndikoj rrahja e Arkanit në ndryshimet e marrëdhënieve ndëretnike në Prishtinë?
Gani Kolovica: Realiteti ishte – po. Për herë të parë publikisht u bë e qartë se një shqiptar rrahu një serb të fortë, që në prishtinë njihej si “kapadaiu i prishtinës”, e deri atëherë ai në prishtinë, bënte çka donte dhe ia kishin frikën të gjithë.
Telegram News: A ka qenë ky dueli i vetëm që i bëri serbët të frikësohen?
Gani Kolovica: Frika serbe në Prishtinë, nisi të ndihej prej vitit 1967, kur në konviktin e Shkollës Normale,kishte më shumë serbë se shqiptarë dhe ishin serbët ata që i rrihnin nxënësit shqiptarë dhe kjo nuk ishte normale as numerikisht e as nga guximi, por serbët e kishin pas vetes shtetin që i dinte të gjitha dhe i mbronte bandat serbe dhe kjo e ndryshonte gjendjen .
Unë organizova një rrahje të madhe me bandat serbe që silleshin aty dhe grupi im prej 7-8 vetash rrahu bandën serbe në mënyrën më të pamëshirshme dhe kjo ishte regjistruar si lufta më e madhe e bandave në Prishtinë nga shteti.
Rasti ndodhi kështu: Rrugës për në shkollën Normale, disa nxënës shqiptarë ia kishin marrë këngës, por u dalin disa serbë dhe i rrahin pse po këndonin shqip.
Unë me grupin tim, edhe pse në numër më të vogël, arritëm t’i rrihnim 13-14 prej tyre, aq sa kishte pasur grupi i tyre që rrahu nxënësit shqiptarë.
Kjo rrahje mori përmasa mediatike në Beograd dhe rrahja e serbëve u bë shumë e madhe. Gazetat e Beogradit na akuzuan se u bënim presion serbëve në Prishtinë që të shpërnguleshin.
Unë akuzohesha si kryesori i grupit dhe siç duket rrahja ime që i bëra Arkanit ishte arsyeja kryesore që i parapriu kësaj propagande. Ishte thirrje që policia serbe të hidhej kundër meje dhe serbët ta kthenin reputacionin dhe ndikimin që kishin në Prishtinë. Këtu serbët e panë se cilat ishin pasojat e fitores së Gani Kolovicës dhe për ta arritur dominimin, ata zgjodhën rrugën me media dhe me policinë e shtetit.
Telegram News: Ti ke balancuar fuqinë etinke në Prishtinë. Thuhet se e ke ndarë edhe korzonë në shëtitore shqiptare dhe serbe, është kjo e vërtetë?
Gani Kolovica: Prishtina ka qenë një bastion i madh serbësh që mbroheshin nga shteti, ku ata kanë pasur lirinë të bënin çka të donin në rend shoqëror dhe ndaj shqiptarëve. Unë me grupin tim, kam rritur moralin shqiptar në Prishtinë, karshi serbëve që kishin çdo gjë në dorën e tyre. Grupi im ishte i formuar prej vëllezërve dhe axhallarëve të mi.
Pas rrahjes së Arkanit dhe rrahjes së bandës te Shkolla Normale, ishte radha ta qartësonin vijën e kuqe për serbët në shëtitoren e Prishtinës. Duhej pra njëfarë rendi me letër kundër tyre që t’i merrnim në dorë gjërat pa ligj.
Telegram News: Si ndodhi kjo?
Gani Kolovica: Serbët gjithmonë bënin probleme në korzo. Këtë e bënin për të treguar muskujt se ata ishin aty. Unë i njihja ata që shkaktonin probleme në korzo.
Një natë, unë me grupin tim, vendosëm t’i japim fund kësaj praktike dhe t’ua ndalim hovin atyre dhe fillimisht i kemi ftuar të flisnim me ta se ku duhej ta bënin ata shëtitoren, por ata nuk u pajtuan dhe pas mospajtimit kërciti lufta mes nesh. I kemi rrahur aq shumë sa ajo natë e ndryshoi gjendjen e mëtejme në shëtitoren e Prishtinës. Ishte Bane banditi i Prishtinës me të cilin i qëruam hesapet sa i përket korzosë. U thamë se kemi shumë rini dhe shumicës absolute i takon shëtitorja që tash është “Sheshi i Prishtinës”. Bane ua përcolli porosinë serbëve se shëtitorja kryesore ishte për shqiptarët, pra mesi dhe komplet sheshi mbetën për shqiptarët , ndërsa ana e majtë në qoshe,u mbeti serbëve, e në këtë mënyrë fituam shumë, sepse dihej tash ku ecnin serbët e ku shqiptarët dhe pamja 90% e shëtitores me shqiptarët dhe 10 me serbët, atyre ua tregonte vendin. Ata nuk pajtoheshin me këtë ndikim të rritur nga shqiptarët, sepse tashmë kishin humbur privilegjet .
Telegram News: A kishte Kosova grupe të tilla që ishin banda?
Gani Kolovica: Peja kishte banda të mëdha. Ka qenë grupi i Ramiz Muriqit më i përmenduri andej. Ata e kishin edhe fuqinë familjare, sepse ishin 10 vëllezër. Kemi shkuar të rrihemi me ta dhe ka ndodhur diçka e pazakonshme: Jam zënë mik me Ramizin!
Telegram News: Si ndodhi kjo, shkuat të rriheni dhe e u vëllazëruar?
Gani Kolovica: Na pritën tepër mirë. Shkuam të rrihemi e u bëmë shokë, vëllezër. Premë lëkurat dhe prekëm gjakun e njëri-tjetrit dhe nga atëherë e sot kemi marrëdhënie vëllazërore mes veti. Ata kanë qenë grup i fortë, por nuk i provuam forcat falë bujarisë dhe pritjes së mirë që na i bënë në Pejë.
Ka qenë rasti i vetëm i jetës sime që përfunduam me miqësi, edhe pse nuk i kishom borxh njëri-tjetrit asgjë, thjesht ka qenë frymë për kampinonin e fer-plejit në atë kohë.
Telegram News: Flitej se edhe Ferizaj ka pasur banda?
Gani kolovica: I ka pas edhe Ferizaj grupet e veta, si edhe çdo qytet tjetër në Kosovë.
Telegram News: Keni pasur beteja edhe me xhudistë?
Gani Kolovica: Jam rrahur edhe me xhudistë në Vushtri. Ishte një serb që i stërviste policët serbë. E kërkova vetë, sepse kishe dëgjuar se ishte i fortë, e kur e takova e pyeta: A je ti ai që stërvit policët në Vushtri?
Më tha po, unë jam dhe i kam thënë: A me del mua fer në dyluftim dhe ai ka pranuar, më tha po dhe ka qenë spektakël. Posa i kam rënë grusht e kam rrëzuar në tokë. Rrahja ka ndodhur te stacioni i hekurudhës në Vushtrri.
Telegram News: A ka pasur rast që e ke rrahur dike pa marrëveshje?
Gani Kolovica: Ka ndodhur vetëm një herë dhe kjo në Podujevë, ndaj një serbi të madh me trup i cili kishte rrahur shqiptarë. Thuhej se ai i rrihte shqiptarët me një dorë, sepse nuk kishte nevojë t’i përdorte dyjat. Atë e kam rrahur pa paralajmërim, sepse ashtu erdhi momenti.
E ndala në rrugë dhe e pyeta në emër se a ishte filani që e kërkoja, e pasi më tha po i kam rënë dhe e kam rrëzuar pa frymë në tokë.
Telegram News: Nga e ke pasur tërë atë fuqi, a ke stërvitur?
Gani Kolovica: Kam ushtruar rregullisht. Ushtroja me tega dhe me mjete të tjera që i mbaroja në shtëpi. I mbaroj nga betoni dhe i kisha edhe paralelet dhe gjërat tjera që më duheshin për një trup të fortë dhe të ndërtuar. E kisha trupin trapez shumë të theksuar e ushqim të preferuar i kisha pulat e fshatit dhe vezët e tyre.
Telegram News: Keni udhëtuar nëpër Jugosllavi për luftëra fer, çka mbani mend nga udhëtimet për luftëra?
Gani Kolovica: Kam shkuar një herë në Nish me ekipin e boksit “Prishtina” që boksonte kundër klubit “Radniçki” të Nishit dhe aty me një serb që shikonte boskin i kemi konfrontuar fjalët bukur shumë dhe unë nuk munda të rehatohem pa e gjetur dhe kam dalur në Nish e kam kërkuar dhe e takova. Kemi dalë në parkun e Nishit për luftë fer. Jemi rrahur, ishte mjaftë i fortë por e kam rrahur deri kur është rrëzuar.
Telegram News: A të ka sulmuar ndokush pas shpine?
Gani Kolovica: Jo, nuk më ka sulmuar kurrë askush pas shpine, ai që humbet gjithnjë ka një fjalë të fundit “shihemi përsëri” e këtë ma kanë thënë shumë, por kurrë nuk ma dalë askush për së dytë. Nga rrahja e Arkanit që mori dhenë, ata që kane dalë kundër meje kanë qenë më të rrallë e më të matur.
Unë kam pasur më pas edhe shumë kërkesa për të boksuar për Prishtinën, por nuk kam pranuar sepse nuk më pëlqente stili i rregullave, më shumë preferoja stilin e lirë dhe kam provuar kur jam rrahur me një boksier nga Gjilani ku më ka ndodhur ta kafshoja me dhëmbë kundërshtarin e prej aty më nuk kam pranuar të boksoja.
Unë e kam zhvilluar qejfin e rrahjes për lirinë e kombit dhe posaqërisht më hyri në gjak prej kur e rraha Arkanin.
Telegram News: A ke pasur në shtëpi kërkesa për ta braktisur rrahjen, apo të kanë mbështetur?
Gani Kolovica: Babai ishte kundërshtar imi, nëna nuk më kundërshtonte, sikur as të tjerët në shtëpi. Dinin se unë nuk isha i padisiplinuar, nuk preja në besë dhe isha për ta ndihmuar të dobëtin dhe të drejtin.
Nuk isha ngacmues, edhe që kisha fuqinë, kam qenë modest në jetë. Por, emri im si njeri i fuqisë ishte lakuar shumë në rrugë dhe kishte që frikësoheshin prej meje, sepse nuk më njihnin.
Unë nuk kam pasur probleme me policinë, sepse lufta fer vlerësohet në gjithë botën dhe ajo bëhet me dëshirën e dy palëve, por nga unë janë frikësuar edhe policët dhe kjo mund të ketë qenë një arsye pse nuk kam pasur probleme me ta.
Telegram News:A ka më luftëra të tilla?
Gani Kolovica: Kjo luftë u përngjan luftërave të Brazilit në kafaze që bëhet atje edhe tash dhe janë luftëra që i kanë rregullat e veta, por janë tepër brutale dhe të pamëshirshme. Fiton vetëm ai që ka guxim, zemër e shkathtësi dhe janë të njëjtat me ato që i kam bërë unë.
Telegram News: Flitet se keni qenë tip misteri, si ka qenë jeta jote aventureske?
Gani Kolovica: Kam qenë i bukur dhe janë rrahur femrat për mua. Nuk e kam ngacmuar kurrë asnjë femër, pa lidhje as me lidhje. Kam qenë i disiplinuar e nuk kam lejuar kur ka pasur mundësi që ndokush ta nguc apo ta maltretojë një femër e mund të them se femrat janë ndier më të sigurta pranë meje dhe kjo ka qenë arsyeja pse kam qenë i pranushëm në jetën e njerëzve.
Me suprimimin e autonomisë së Kosovës, Gani Kolovica doli në mbrojtje të shkollave shqipe në Prishtinë. Si ndodhi kjo?
Në fillim të viteve 90-ta kur shkollat tona u detyruan të punojnë në bodrume e shtëpi private, këtë fat e pati edhe Gjimnazi “Sami Frashëri”. Në mungesë të policisë së shtetit, në rrugë u shfaqën edhe huliganë që pengonin procesin në shkolla…
Gani Kolovica, doli në mbrojtje institucionale të shkollave.
Telegram News: Si ndodhi që ti dole në mbrojtje të shkollave pasi kishe ndërprerë aktivitetin e luftave fer?
Gani Kolovica: Një ditë takova në rrugë ish-profesorin tim Rrustemin. E pyeta si ishte dhe si ecte puna me shkollat e ai më tha: Si të jem më keq kur në këtë moshë unë duhej të rrihesha me rrugaçët që i pengojnë shkollat. Pse të rrihesh me ta e pyeta e ai ma ktheu:
Sot kanë munguar 60 vajza në mësim, e si të jem më keq, e unë dua që ti të jesh nesër në shkollë Gani, më tha ai.
Shkova të nesërmen në shtëpinë ku mbante mësim Gjimnazi “Sami Frashëri”.
Rrustemi i tha drejtorit Abdyl Gashit:
A keni mundësi t’ia bëni një pagë të vogël Ganiut që ta rregullojmë sigurinë në shkollë? Fillova po atë ditë punën dhe 5-6 rrugaqë që e pengonin mësimin i rregullova bukur mirë fizikisht. Kështu filloi të rritej besimi në shkollë dhe të mbahej procesi mësimor në shkollë.
Më së keqi ishte në Vranjevc. Ne ishim dy veta që siguronim shkollën , unë dhe Hamdiu dhe pastaj u mor vendim që cilado shkollë ku kishte nevoja siguria, shkonim ne dy në gjithë Prishtinën. E kemi pasur selinë në shtëpinë e Mehmet Hërticës të cilit i falënderohem publikisht sot përmes kësaj gazete, sepse aty e kemi pasur bodrumin në shërbimin tonë me çdo gjë që na duhej.
Telegram News. A kishte rrezik qërimi fizik i llogarive me huliganët?
Gani Kolovica: Ka qenë punë me shumë rreziqe, sepse kishte edhe grupe të organizuara nga policia serbe që i dërgonin ta pengonin mësimin nëpër shkolla dhe ata i mbronin. Huliganët, ua merrnin vajzave zinxhirët nga qafa dhe unazat nga gishtat. Kështu doli se ballafaqimi me disa prej tyre, ishte i pashmangshëm. Ka qenë një person nga Podujeva që vinte direkt të konfrontohej me mua, sepse e dërgonte policia, pasi atyre u intersonte se kush i mbronte shkollat shqipe.
U takova me grupi e tij dhe ua shpjegova arsyeshëm që mësimi nuk duhej të pengohej, por ai me grupin e tij nuk kuptuan dhe u rrahëm te shkolla e Hërticëve, aq sa rrahja u publikua edhe në shtypin e ditës.
E kisha shokun tim Hamdi Berishën ish-polic, i cili zakonisht e mbante armën derisa unë rrihesha me huliganët, ku na ndihmonin edhe nga ana e popullit. Të nesërmen një person që kishte lidhje me policinë serbe erdhi e na njoftoi se policia serbe do të vinte për të na arrestuar dhe po të jetë nevoja të luftonte me ne deri te arrestimi ynë.
Për të mos rrezikuar procesin unë u largova në Maqedoninë Veriore përmes Rashit Durmishit ku kam qëndruar një muaj dhe jam kthyer ta vazhdoi punën. Vranjevci printe me problemet, por probleme kishte edhe në Shkollën e Mesme “Gjon Gazulli”. Më kujtohet se si drejtori Nebih Bunjaku ishte lodhur nga huliganët dhe kur shkova te ai, ma drejtoi gishtin kah një person që po qëndronte afër tualetit të shkollës. Iu ofrova dhe ta them realisht pa një pa dy i rashë gursht e ai ra në tokë, e drejtori kur u ofrua te ai më tha ,”bre ky qenka nxënës “, dhe i kam kërkuar falje nxënësit.
Telegram News: si rrodhën gjërat me të ofruar të luftës?
Gani Kolovica: Kam marr pjesë në luftë, isha në Zonën Operative të Llapit në Zllash. Kam qenë polic ushtarak, nga fillimi në qershor 1998 e deri në përfundim të luftës. Kemi qenë me një vëlla dhe djalin e axhës dhe kemi shërbyer besnikërisht UÇK-së.
Telegram News: Si të duket tash pas luftës?
Gani Kolovica: Ne luftëtarët jemi duke vuajtur. Shumë luftëtarë e dini se kanë bërë vetëvrasje. Ata nuk e kanë bërë aktin e fundit të jetës për asgjë tjetër pos për vuajtje ekonomike, por përsëri nuk kanë dashur të dalin kundër vendit të vet as shtetit dhe nga ato vetëvrasje ky është virtyti njerëzor se nuk kanë dashur t’i japin armikut material të kuptojnë se si sillet shteti me ish- ushtarët e UCK-së. Kanë pranuar të bëjnë vetëvrasje duke mos u pajtuar me jetën në liri dhe mostrajtimin e tyre. Nuk e kemi merituar të jemi në këtë gjendje luftëtart e UÇK-së, por nuk dua të flas për këtë kapitull, sepse kemi punuar shumë dhe puna jonë nuk dua të merr kah tjetër.
Kam qenë më i lumtur në luftë, sesa jam sot në liri, sepse e kam ditur se liria ka për të ardhur me mua o pa mua, por tani që jam ende në jetë, nuk kam pritur këtë trajtim nga shteti, ka thënë Gani Kolovica, njeriu që një jetë i ka shërbyer kombit./Telegram News