Një qind euro për votë
Ky është përkthimi që Shenoll Muharremi – një nga punditët më seriozë në mbikëqyrjen kritike të veprimeve qeveritare, sidmos në ekonomi – i bëri thelbit të vendimit për shpërndarjen e 100 eurove për pensionistët e fëmijët.
Vështrimi i Muharremit, përmbledhtazi, ishte që vendimi i sotëm përbën “korrupsion të pastër elektoral” dhe shtoi se për dikë si Albin Kurti, një veprim i tillë, është keqardhës në themelin e karakterit politik të tij.
“Albin Kurti u dorëzua. Ai e ka kuptuar që nuk mund të mbajë përkrahjen e madhe, dhe tashmë po e tradhton veten dhe idealet e tij të forta për pushtet. Nuk do të ishim befasuar nëse dikush nga establishmenti i vjetër do të vepronte kështu, por për Albinin kemi standarde të tjera. Ai vetë ka premtuar dhe është votuar masivisht për një qeverisje për të mirën publike”, shkroi Muharremi.
“Shpërndarja e parasë publike pa asnjë llogaridhënie, veçanërisht në kohë zgjedhjesh, nuk është asgjë tjetër përveç një abuzim dhe keqpërdorim i pushtetit për interesa të ngushta. Kjo mund të jetë arsyeja kryesore pse LVV dhe Kurti do të tkurren…”, tha ai.
Definicioni universal i korrupsionit – i.e keqpërdorim i pushtetit publik për përfitim privat (elektoral në këtë rast) – u lexua gjerësisht karshi këtij vendimi.
Vrojtarja më e madhe opozitare e ekonomisë në vend, Hykmete Bajrami, po ashtu e lexoi në këto terma, se shpërndarja e buxhetit të shtetit në kohë fushate “është skemë e korrupsionit publik”.
“Buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dal me ble vota”, tha ajo.
“Qeveria e cila gjatë mandatit i ka dyfishu faturat e energjisë elektrike, e ka dyfishu tatimin në pronë, i ka poshtru shërbyesit civilë, i ka fy sindikatat, e ka dëtyru njësinë elitare të Policisë me dalë në protestë, i ka mbetë ushtria pa bukë e policët pa këpuca, i ka maltretu prindërit dy vite radhazi me blerjen e librave (…)”
“(…) qeveria në mandatin e së cilës janë rritë çmimet si kurrë më pare, sot me para të taksapagusëve po tenton me ble vota. Janë 4 vjet të humbura. Jeni në panikë, por as kjo skemë nuk ju shpeton dot. Me 9 shkurt votohet për ndryshim jo për lëmoshë!”, tha Bajrami.
Studiuesi Agron Demi, pa asnjë ekuivoke, e pa si “blerje direkte e votave” derisa në kundërpeshë ia vendosi urën te Liqeni i Badovcit, vetëm 38 metërshe, që ka mbetur pa u ndërtuar.
“Nuk kemi nevojë për ‘Robin Hood’ qeverisje në një shtet që pretendon se është ligjor. Kjo çka ka bë qeveria është blerje direkte e votave dhe ish dasht mu ndalu me ligj, pasi me etikë qeverisjeje nuk është me ba diçka”, ka shkruar ai,
“(…) jepjani ka 100 euro secilit e ta bëjmë buxhetin rrush e kumbulla”, shkroi Demi.
Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, përkthen leximin nëntekstual të vendimit të Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Albin Kurtit.
“Mesazhi prapa 100-it: Ai ua jep, Ai ua merr. Votoni, votoni, votoni!”, ka shkruar Molliqaj në një reagim në Facebook, transmeton nacionale.
Çfarë tha Kurti?
Tashmë një muaj e gjysmë që nga zgjedhjet parlamentare dhe një ditë para se të nis shpërndarja e faturave të energjisë elektrike me tarifë dimërore – Qeveria e Kosovës njoftoi për shpërndarje nga 100 euro për të gjithë pensionistët dhe nga 100 euro për fëmijët. “Nuk është thjesht dhuratë për fundvit”, tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me të njoftuar vendimin për këto dhënie nga 100 euro të njëhershme për këto dy kategori.
Në një artikulim krejtësisht elektoral, Kurti e nisi me atë se qeverisjet paraprake kanë ligjëruar se fëmijët janë e ardhmja e vendit “por buxheti për ta ka qenë zero”; për të nisur lajmërimin e ndarjes nga 100 euro shtesë të njëhershme për të gjithë fëmijët nga mosha 0 deri në 16 vjet.
“Të dashur fëmijë, të gjithë ju që jeni të moshës nga 0 deri në 16 vjeç, dhe që jeni pranues të shtesave mujore për fëmijë, do t’i përfitoni edhe sivjet nga 100 euro secili. Kjo nuk ëhstë vetëm një dhuratë e fundvitit nga shtei juaj, por është investim në mirëqenien e të gjithë fëmijëve pa dallim. Andaj, edhe ju të dashur prindër, t’i rrisni fëmijët me shëndet por edhe me dashurinë për shtetin e tyre, kur vlerat dhe dashuria për vendin brumosen që në fëmijëri, e ardhmja e Republikës sonë pa dyshim që do të jetë në duar të sigurta”, tha Albin Kurti.
“Por, përveç investimit në fëmijët që janë edhe e tashmja e sidomos e ardhmja jonë, duhet të kujdesemi që t’i mbështesim edhe ata që kontribuan dhe ndërtuan shtetin e na sollën deri këtu. Prandaj, sikurse tashmë e kemi bërë traditë që sa herë që ka buxhet të mjaftueshëm dhe ekonomia rritet përtej projeksioneve, në fund të vitit po ndajmë mbështetje shtesë të njëhershme nga 100 euro, apo siç disa edhe kanë filluar ta quajnë pensionin e 13-të për të gjithë pensionmarrësit të cilët kualifikohen. Kjo shënon mbështetjen e 5-të brenda mandatit tonë që një mbështetje e tillë shpërndahet te pensionistët tanë”, shtoi ai.