Shtatëdhjetë e dy certifikata mjekësore janë dhënë nga Klinika e Psikiatrisë për qytetarët që kanë kërkuar të pajisjen me leje për armëmbajtje. Ky shërbim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është rikthyer në shtator të këtij viti.
Personat e interesuar duhet t’u nënshtrohen kontrolleve mjekësore nga disa profesionistë shëndetësorë.
Detajet e procedurave për pajisjen me këtë certifikatë i tregon për KosovaPress, drejtori i Klinikës së Psikiatrisë, Faton Kutllovci.
Dhënia e certifikatës mjekësore për leje të armëmbajtjes po konsiderohet si një mekanizëm i cili ka efekt pozitiv në sigurinë e vendit.
Njohësi i balistikës dhe sigurisë, Xhemajl Ademaj thotë për KosovaPress, se pajisja me këtë certifikatë mjekësore tregon se arma që posedon qytetari është me e kontrollueshme.
Nga Policia e Kosovës bëjnë të ditur se brenda dhjetë muajve kanë iniciuar mbi 1.300 raste për armëmbajtje pa leje, transmeton Klankosova.tv.
“Policia e Kosovës në periudhën janar-15 tetor 2024, ka iniciuar 1.333 raste nga neni 366 ‘Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve’”, thuhet në shkresën e Policisë së Kosovës.
Konsiderohet se rreth 260 mijë armë pa leje janë në duart e qytetarëve të Kosovës.
Kodi Penal i Republikës së Kosovës parasheh dënim me burgim deri në 10 vjet, ose gjoba deri në 7.500 euro, për armëmbajtje pa leje.