Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se kanë kërkuar ngritje të pagës qysh në shtator dhe se ngritja e paralajmëruar për në janar është e papranueshme.
Gjatë ditës, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nga viti 2025 do të ketë rritje të pagave në sektorin publik. Ai tha para medieve të martën se një zyrtar publik që aktualisht e ka koeficientin e pagës 5.6, në janar do t’i bëhet 6.1 e në korrik 6.6.
“Të gjithë të punësuarve në sektorin publik pagat do të rriten 55 euro nga janari dhe 110 euro nga korriku. Kostoja e plotë vjetore e kësaj rritje do të jetë 120 milionë euro”, ka deklaruar Kurti.
Lidhur me këtë kreu i SBASHK-ut në takimin diskutues të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ku u publikua raporti “Mungesa e Kontratave Kolektive – Dështimi për të siguruar dialog social dhe mbrojtje kolektive të punëtorëve”, tha se kjo rritje është e papranueshme.
“Sa i takon rritjes, ne nuk kemi kurrgjë zyrtare, mirëpo kemi insistuar nga zotëri Kurti dhe (ministri i Financave, Hekuran) Murati që ngritja të jetë në shtatorin që iku, të jetë së paku në këtë tetor dhe të jetë së paku 30%. Sepse ngritjet që u bënë në fillim të këtij viti nga 105-110 ishin ironike, ngase në arsimin parauniversitar siguruan një rritje 28 euro dhe unë po them njeriu turpërohet me i kallëzu një shteti fqinj sepse një pjesë të shteteve nuk i kemi fort miq. E çka do me i thanë dikujt ‘na e rriti shteti 28 euro pagën’, kur në shtetet tjera ka arrit te 900 e te 1 mijëshi. Kjo rritja në janar e ato janë sikur në Pejë që janë do fjalë ‘a po m’i jep do sende veresi’. Në janar çka do që bëhet është fushatë dhe një ngritje e tillë tash me shku me 50 euro, me 20 euro, është jo e pranueshme për ne”, ka thënë Jasharaj.
Ai ka shtuar se do të insistojnë për ngritje së paku 30% duke e pasur parasysh ngritjen e çmimeve. Është ankuar edhe për mungesë dialogu me Qeverinë./BetimipërDrejtësi