Izraeli kreu sulme ajrore parandaluese në jug të Libanit mëngjesin e së dielës, ndërsa Hezbollahut i shkrepi qindra raketa në drejtim të tokës izraelite për t’u hakmarrë për vrasjen e njërit prej komandantëve kryesor të tij muajin e kaluar.
Një shkëmbim kaq i madh i sulmeve mes tyre kërcënon nxitjen e një lufte të përgjithshme në Lindjen e Mesme, në të cilën mund të zhyten edhe Shtetet e Bashkuara, Irani dhe grupet militante në këtë rajon.
Ky përshkallëzim rrezikon gjithashtu t’i dështojë përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim në Rripin e Gazës, ku Izraeli prej 10 muajsh është duke bërë luftë kundër Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – i cili është aleat i Hezbollahut.
Duket se shkëmbimi i sulmeve mes Izraelit dhe Hezbollahut pushoi kah mesi i mëngjesit të dielën, pasi të dyja palët i ndalen sulmet. Megjithatë, gjendja vazhdon të mbetet e tensionuar.
Nuk dihet tani për tani sa viktima dhe çfarë dëmesh mund të kenë shkaktuar këto sulme.
Ushtria e Izraelit tha se Hezbollahu planifikoi t’i shkrepë një breshëri raketash dhe predhash në drejtim të Izraelit. Disa orë më vonë, Hezbollahu njoftoi se e kreu një sulm ndaj pozicioneve ushtarake të Izraelit si përgjigje fillestare për vrasjen e Foud Shukur nga një sulm ajror izraelit në Bejrut muajin e kaluar. Shukur ishte ndër themeluesit e Hezbollahut.
Më vonë, Hezbollahu tha në një njoftim të ri se sulmi i tij i planifikuar kundër Izraelit për të dielën “është kompletuar dhe përmbushur”.
Sulmet ndodhen në një ditë kur Egjipti është nikoqir i rundit të ri të bisedimeve për t’i dhënë fund luftës mes Izraelit dhe Hamasit.
Hezbollahu ka thënë se do t’i ndalë luftimet nëse arrihet armëpushim në Gazë. Irani i mbështet të dyja grupet, si dhe grupe të tjera militante në Siri, Iran dhe Jemen, të cilat mund t’i bashkohet një lufte të gjerë në rajon.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha duke folur në fillim të një takimi të kabinetit të tij se ushtria izraelite i ka rrëzuar “mijëra raketa të cilat ia kishin mësyrë veriut të Izraelit”.
“Ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për ta mbrojtur vendin tonë, t’i kthejmë banorët e veriut në shtëpitë e tyre të sigurt dhe të vazhdojmë ta ruajmë një ligj të thjeshtë: Kushdo që na dëmton – do ta dëmtojmë”, tha Netanyahu.
Në veri të Izraelit u raportua se u dëgjuan sirena, ndërsa Aeroporti Ndërkombëtar Ben-Gurion i Izraelit i mbyll për rreth një orë, për shkak të kërcënimit nga sulmet.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, koloneli Nadav Shoshani, tha se Hezbollahu kishte për qëllim t’i kryente sulmet në Izraelin verior dhe qendror. Ai tha se vlerësimet e para tregojnë se “dëmet janë shumë të vogla” në Izrael, por se ushtria mbetet në gatishmëri shumë të lartë.
Ai tha se rreth 100 avionë luftarakë izraelitë morën pjesë në sulmin e së dielës./REL