Kërcënimi nga sulmet terroriste islamike në Gjermani është dukshëm më i lartë se në vitet e mëparshme, pjesërisht për shkak të luftës në Gazë, tha agjencia e inteligjencës e Gjermanisë.
“Rreziku i sulmeve xhihadiste është më i lartë seç ka qenë për një kohë të gjatë”, tha për DPA-në kreu i shërbimeve vendase të inteligjencës, Thomas Haldenwang.
“Situata në Lindjen e Mesme, pas sulmit terrorist nga Hamasi [grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera] sigurisht se kontribuon në kërcënimin e shtuar që paraqet terrorizmi islamik”, tha ai.
Sipas tij, Gjermania është më shumë në fokusin e xhihadistëve sesa vendet e tjera evropiane, sepse “së bashku me SHBA-në, konsiderohet të jetë një nga mbështetëset më të rëndësishme të Izraelit”.
Përveç kësaj, Haldenwang përmendi edhe ndikimin nga udhëheqja talibane në Afganistan, si dhe forcimin e grupit militant, Shteti Islamik Khorasan, në Pakistan dhe Afganistan.
Në muajin maj, një 25-vjeçar afgan plagosi pesë persona me thikë në një tubim të organizuar nga lëvizja anti-islamike, Pax Europa, në qytetin jugperëndimor të Gjermanisë, Manhajm.
Ai gjithashtu sulmoi një polic, i cili vidiq më vonë nga plagët.
Hetuesit dyshojnë se motivi pas këtij sulmi lidhet me ekstremizmin islamik.
Haldenwang tha se Gjermania, aktualisht, përballet me tri sfida kryesore: kërcënimin nga terrorizmi islamik, rritjen e ekstremizmit të krahut të djathtë që kontribuon në tensione sociale, dhe ndikimin nga spiunazhi i shteteve të huaja./REL