Në një konferencë për media ku prezantoi të arriturat për vitin 2024 dhe planet për vitin aktual, Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, i ka cilësuar tendencioze veprimet e qeverisë Kurti për bllokim projektesh nga niveli qendror.
I pari i Prishtinës tha se projekti “Unaza e kryeqytetit” po vazhdon të bllokohet nga Qeveria, ndonëse siç u shpreh ai komuna i ka siguruar 40% të buxhetit.
“Çështja tjetër me interes shumë të madh për kryeqytetin dhe gjithë Kosovën e cila ka qenë sfidë dhe vazhdon të jetë sfidë është unaza e kryeqytetit, është projekt kyç jo vetëm për kryeqytetin, por për gjithë Kosovën duke përfshirë edhe tashmë që i kemi lojërat olimpike 2030 mesdhetare. Ky projekt i cili e ka koston e 206 milionë eurove është i gatshëm, po ashtu është mundësuar që të jetë pjesë e ndërlidhjeve të lidhjeve mesdhetare të të gjitha rrugëve mesdhetare vazhdon të qëndroj si një projekt i cili nuk përkrahet nga Qeveria, përkundër faktit që kemi 40% të buxhetit i cili do të ishte donacion, do të ishte grant…megjithatë është kërkuar garancia qeveria dhe kjo nuk është bërë, nuk e shohin si një projekt i cili është me rëndësi të madhe për kryeqytetin apo Kosovën. Lus që në vitin 2025 të kemi një reflektim nga qeveria të investohet në këtë projekt madhor”, deklaroi Rama.
Tuneli te “Agim Ramadani” dhe “ishulli urban” nga Rama po konsiderohen projekte të penguara nga Qeveria e Kosovës
“Që nga marsi projekti është i përfunduar dhe kemi kërkuar në Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore dhe Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për të siguruar pëlqimin për zhvillimin e punimeve për nënkalimin për tunelin ‘Agim Ramadani’ projekt i cili ka rëndësi jetike për qarkullimin rrugor në kryeqytet dhe jetësimin e zonës historike në kryeqytet… kjo kërkesë ende nuk është miratuar pas dy refuzimeve të orkestruara politikisht kjo mbetet praktika më e gjatë që e njeh Kosova në procedurën administrative në mes të organeve shtetëror. Lus që qeveria në ikje tash, apo qeveria e re të reflektojnë dhe të vazhdojnë me këtë projekt madhor… Çështja e ishullit urban kemi zhvilluar projektin e ishullit urban dhe kemi filluar punimet, por jemi bllokuar nga institucionet qendrore. Arsyetimi është totalisht tendencioz i cili ka qëllim zvarritjen e procesit dhe bllokimin e këtij projekti”, theksoi ai.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama theksoi se qeveria ka bllokuar edhe projektin për kampusin sportiv.
“Qeveria është bllokuese ndaj projektit në tërësi. Këto zvarritje për fat të keq janë të paarsyeshme dhe në vazhdimësi të bllokimeve të qëllimshme të projektit, veprime këto të cilat po shkaktojnë vonesa në realizimin e këtij projekti sportiv ndonjëherë në Kosovë”, u shpreh kryetari i Prishtinës.
Krahas sfidave, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama shpalosi edhe disa nga sukseset e punës së tij përgjatë vitit që lamë pas, duke e quajtur Sukses historik realizimin e 80% të buxhetit komunal, përkundër bllokimeve nga Qeveria.
Në vitin 2024 buxheti ka realizim rekord historike me mbi 80%, ndërsa investimet kapitale janë realizuar mbi 63%. Rruga “Jim Xhema” apo rruga A edhe ky ka pas sfida të mëdha i kemi pas tri ballafaqime në gjykata për të lejuar vazhdimin e kësaj pune e kemi vazhduar dhe po e vazhdojmë dhe do ta përfundojmë deri në fund të këtij viti. Vazhdimi i ndërtimit të kolektorit në Kalabri dhe vazhdimi në rrugën B prapë projekt madhor që vazhdon”, thotë Rama.
Sa i takon telasheve me tollovitë e mëdha në trafik me të cilat po ballafaqohet kryeqyteti, i pari i Prishtinës tha se zgjidhja është ndërtimi i unazës së kryeqytetit, ku bëhen 748 mijë hyrje./Telegram News