Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti, duke i akuzuar për dështim total në politikën e jashtme dhe për humbje të besimit ndërkombëtar.
Në një status të publikuar në Facebook, Hoxhaj ka shpërndarë një pjesë nga një intervistë e tij televizive, ku ai deklaron se Kosova ndodhet në “terr diplomatik”.
“Në terr, në rrafshin diplomatik, i bie kur je nën sanksione. Ne kemi qenë të shqetësuar dhe vazhdojmë të mbesim të shqetësuar me aktin e agresionit vitin e kaluar dhe politikën e gabuar të perëndimit për të mos ndëshkuar Serbinë,” deklaroi Hoxhaj.
“Për mua ka qenë e papranueshme që pas sulmit terrorist në Ibër-Lepenc të ketë takime, sikur s’ka ndodhur asgjë, dhe të dalësh të bësh deklaratë për të pagjeturit,” shtoi ai, në një intervistë për RTV21.
Hoxhaj kërkoi që brenda tre muajve të hartohet një platformë e re për dialogun Kosovë-Serbi, duke theksuar se qasja aktuale ka dështuar dhe kërkon një strukturë të re për udhëheqjen e dialogut.
Sipas tij, politika e jashtme e Kosovës duhet të fokusohet në një ideal të madh, që është anëtarësimi i Kosovës në NATO.
“Politika e jashtme e Kosovës duhet të udhëhiqet nga një ideal i vetëm për katër vitet e ardhshme – anëtarësimi në NATO,” theksoi Hoxhaj.
Në fund, ai kritikoi qeverinë aktuale për ngecjen e Kosovës në çdo aspekt, duke përmendur ekonominë, arsimin, shëndetësinë dhe integrimet evropiane.
“Kosova është e fundit në rajon në çdo rrafsh”, përfundoi ai.