Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti dhe qeverinë e tij për krijimin e një situate ku Kosova është izoluar diplomatikisht dhe nuk ka aleatë në rajon.
Në një postim në Facebook, Hoxhaj kritikoi qeverinë për pasivitet dhe paditur në marrëdhënie ndërkombëtare dhe për politikën e favorizimit të Serbisë nga Berlini dhe Parisi.
Ai kërkoi një qeveri që të nxjerrë Kosovën nga izolimi dhe të adresojë gabimet strategjike.
“Izolimi, pos që është pasojë e një qeveri pasive dhe e paditur të Kosovës në marrëdhënie ndërkombëtare, atij i është shtuar edhe politika e ledhatimit të Serbisë nga Berlini dhe Parisi, ku për interesa afatshkurtëra gjeopolitike dhe ekonomike, është duke u rrezikuar rendi i krijuar në Ballkan me përfundimin e luftërave në Jugosllavi”.
“Kurrë më shumë se tash, Kosovës i duhet një qeveri e cila e nxjerrë vendin nga izolimi dhe komunikon edhe karshi partnerëve të saj gabimet strategjike që po bëhen me ledhatimin e Serbisë, gjë që sot është gabim, por do të jetë edhe në të ardhmen”.