Korab Gashi është personi i pestë i arrestuar nën dyshimin se mori pjesë në grabitjen e armatosur në Suharekë e cila ndodhi më 22.11.2023.
Ai sot ka dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake pasi Prokuroria e Prizrenit ka kërkuar masën e paraburgimit për Gashin, i cili kishte tash e disa muaj që po kërkohej me urdhërarrest.
Avokati Skënder Musa, në një bisedë përmes telefonit me Telegrami.co pas përfundimit të seancës ka thënë se klienti i tij ishte duke vozitur një motoçikletë gjatë kohës sa ishte arrestuar.
Musa theksoi se përgjatë seancës, Prokuroria nuk ka shpalosë provat dhe në këtë rast sipas tij, Gjykata ka bërë shkelje të dispozitave për shkak se sic tha ai, ka kërkuar t’i shihte pamjet ku sipas Prokurorisë po pretendohet se klienti i tij ka pasur armë luftarake.
“Seanca përfundoi, tash jemi duke e pritur vendimin për masën, është i dyshuar për grabitje dhe ndihmë në grabitje. Prokuroria nuk ishte në gjendje me i shpalos provat, gjykata bëri shkelje të dispozitave të kodit për shkak që është e obliguar që në momentin që kërkon i dyshuari dhe avokati me i pa CD, kjo për faktin se prokuroria pretendonte se kanë pasur armë luftarake dhe është identifikuar Korab Gashi, ne kërkuam të dimë se në çfarë pamje dhe ku është identifikuar klienti im, cila është arma që ka në dorë dhe një kërkesë u mohu, ishte e qartë se nuk e kanë atë provë”- tha Musa për Telegramin.