Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se sot në përputhje me Planin e Veprimit për përcaktimin e kritereve për regjistrin e banorëve në Kujdesin Parësor Shëndetësor, fillon Projekti për përzgjedhjen e mjekut familjar brenda zonës së banimit.
Sipas njoftimit, ky projekt, pas periudhës testuese në katër komuna dhe regjistrimit të popullsisë për përcaktimin e numrit të saktë të banorëve, fillon sot të zbatohet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Si fillim, do të zgjasë 100 ditë, ndërsa projekti i plotë pritet të përfundojë deri në fund të vitit 2025.
“Ky plan ka për qëllim krijimin e një liste të saktë të banorëve dhe pacientëve për mjekët familjarë, duke u fokusuar në një organizim më efektiv të shërbimeve shëndetësore. Poashtu, krijimi i kësaj liste do të lehtësojë identifikimin e pacientëve me nevoja specifike shëndetësore, duke u mundësuar mjekëve të ndjekin nga afër historikun e tyre, për parandalim dhe trajtim më cilësor të sëmundjeve”, thuhet në njoftim.
“Ministria e Shëndetësisë fton qytetarët që të shfrytëzojnë mundësinë për të përzgjedhur mjekun familjar përmes Platformës shtetërore E-KOSOVA!. Informacionet për mënyrën e aplikimit do të publikohen rregullisht në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë në Facebook dhe në të gjitha objektet e Kujdesit Parësor Shëndetësor në Kosovë”, thuhet tutje./TelegramNews./