Së fundmi, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka kritikuar regjimin e Bashar al-Assadit në Siri.
Erdogan në një deklaratë ka theksuar angazhimin e palëkundur të Turqisë për arritjen e paqes në Siri.
Ai nënvizoi vizionin turk për një Siri të bashkuar, ku të gjitha komunitetet mund të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore dhe pa frikë.
“Sirianët i kanë dhënë fund luftës, i kanë dhënë fund gjakut dhe lotëve”, e nis deklaratën Erdogan.
“Vëllezërit tanë sirianë e meritojnë paqen më shumë se çdokush tjetër”, vazhdon ai.
Ndër tjera, lideri turk theksoi se qëllimi i vetëm i Turqisë është mirëqenia e sirianëve.
“Ne gjithmonë kemi punuar për këtë qëllim. Ky ishte qëllimi ynë i vetëm kur i hapëm dyert për vëllezërit dhe motrat tona që iknin nga dhuna dhe ne ua zgjatëm dorën për t’i ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje. Por regjimi i Damaskut nuk e kuptoi vlerën e zgjatjes së dorës së Turqisë”, u shpreh Erdogan.
Deklarata e tij përfundoi duke thënë: “Turqia është në anën e drejtë të historisë edhe sot, siç ishte dje. Ne duam të shohim të mbizotërojë paqja në Siri, ku arabët, turkmenët, kurdët, alavitët, sunitët, e të krishterët jetojnë bashkë e nuk përjashtohen, nuk u cenohen të drejtat dhe liritë, nuk keqtrajtohen, por jetojnë përkrah njëri-tjetrit”.