Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar mbrëmë listën me emrat e kandidatëve për deputetë.
Në dhjetëshen e parë të listës është shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, kryetarja Alternativës, Mimoza Kusari-Lila. Kusari-Lila është ngritur për dhjetë vende në listën e VV-së për dallim prej zgjedhjeve të kaluara, kur emri i saj ndodhej në listë nën numrin 18.
Në këto zgjedhje Kusari-Lila do të garojë me numrin 8.
Shefja e grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila ka qenë në qendër të kritikave pas publikimit të disa audio-incizimeve, ku ajo komunikonte me kryeterroristin Milan Radoiçiq.
Komunikime të tilla ishin publikuar edhe vitin e kaluar, por edhe këtë vit. Në kohën kur Kusari – Lila bisedoi me Radoiçiqin, ai ka qenë në kërkim nga Policia e Kosovës, i sanksionuar nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar.
“…Përshtypja ime është se tani do të intensifikohet lufta hibride kundër Republikës së Kosovës, në veçanti kundër Qeverisë tonë, kundër Grupit tonë Parlamentar, dhe kryetares së Grupit tonë Parlamentar, e kemi parë edhe në të kaluarën, dhe unë nuk pres shumë çka të re prej atyre të vjetërve të cilët natyrisht problemin më të madh e kanë që sikurse në këto tri vite e gjysmë që ka pasë sundim të ligjit, rend publik dhe integritet territorial nuk i gjeni asnjëherë në Kosovën e pasluftës”, kishte thënë Kurti.
Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë pritet të mbahen më 9 shkurt 2025. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se për certifikim në zgjedhje kanë aplikuar 28 subjekte politike. Sipas KQZ-së prej tyre janë 20 parti politike, 5 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.