Egnatia bën kthesë në Kategorinë Superiore, duke fituar titullin e parë kampion të Shqipërisë si dhe njëkohësisht duke fituar për herë të parë në histori dy trofe brenda të njëjtit sezon.
Skuadra e Edlir Tetovës mposhti me rezultatin 0-1 djemtë e Orges Shehit në ndeshjen e titullit në “Final Four”.
Në minutën e 22’ Bintsouka pati mundësinë për të zhbllokuar ndeshjen dhe për të kaluar Partizanin në avantazh duke gjetur rrugën drejt rrjetës, por arbitri Anthony Taylor sinjalizoi që nuk kishte gol për shkak të prekjes së topit me dorë nga Sembene.
Atë që nuk e bënë kryeqytetasit e realizuan më së miri rrogozhinasit, me Ibrahimoglu që shënoi pas asistit të dhuruar nga Spahiu në minutën e 35’, duke zhbllokuar ndeshjen dhe duke i dhënë avantazhin, por njëkohësisht edhe fitoren skuadrës së Egnatias.
Pjesa e dytë ishte më i zbeht sa i përket rasteve, duke bërë që ndeshja në fund të përfundonte 0-1.
Egnatia diktoi ritmin gjatë gjithë sezonit, duke kryesuar renditjen me 63 pikë dhe në fund e finalizon duke triumfuar në “Final Four” dhe duke fituar titullin e parë kampion të Shqipërisë në histori.
Kështu Egnatia do të përfaqësojë Shqipërinë në Champions League, teksa Partizani i vendit të dytë do të shkojë në Conference League./GazetaPuls