Mario Mitaj ishte njëri prej zbulimeve të përzgjedhësit Sylvinho në krye të Shqipërisë. Mbrojtësi i majtë i ka mahnitur të gjithë me paraqitjet e tij, teksa është bërë titullar i padiskutueshëm në formacionin e “Kuqezinjve”.
20-vjeçari është pjesë e Lokomotivës së Moskës në Rusi, aty ku hapësirat për të kanë qenë të limituara.
Sipas një raportimi nga “Sky Sports Italia”, dy ekipe nga Serie A kanë shfaqur interesim serioz për Mitaj. Bëhet fjalë për Lazion dhe Bolognan të cilat duan ta kenë në radhët e tyre reprezentuesin shqiptar.
Tek Bologna po përgatiten për shitjen e Calafiorit dhe Mitaj duket se është profili i duhur për ta zëvendësuar atë. Në rast se transferimi realizohet, Mitaj do të kishte mundësinë të luante në Ligën e Kampionëve.
Mitaj e ka nisur karrierën e tij tek grupmoshat e AEK-ut në Greqi teksa më vonë u bë pjesë e ekipit të parë.
Ai më pas u transferua tek Lokomotiva e Moskës në vitin 2022 aty ku në sezonin e tij debutues pati 22 paraqitje me fanellën e ekipit rus.