Boksierja e shumëpërfolur algjeriane, Imane Khelif do të luftojë të premten për medaljen e artë në boksin e femrave, në Lojërat Olimpike “Paris 2024”.
Khelif, e cila është në qendër të publikut sportiv për shkak të akuzave të Federatës Ndërkombëtare të Boksit se nuk është femër, fitoi gjysmëfinalen e turneut olimpik në kategorinë deri në 66 kilogramë.
Algjeriania mposhti me vendim unanim të gjyqtarëve rivalen tajlandeze Janjaem Suwannapheng.
Pas tre raundeve të boksit, gjyqtarët i dhanë fitoren Khelifit dhe atë bindshëm. Katër gjyqtarë shënuan ndeshjen me rezultat 30-27, dhe një tjetër me rezultat 30-26 për Khelif.
Khelif do të luftojë për medaljen olimpike të premten mbrëma, ndërsa kundërshtarja e saj do të jetë Liu Yang nga Kina.