Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, ka deklaruar se çdo ndryshim në praninë dhe pozicionimin e këtij misioni në Kosovë, do të bëhet duke u bazuar në vlerësim të situatës së sigurisë.
Barduani, në një intervistë për Albanian Post ka vlerësuar se tashmë KFOR-i mund të përshtatet shpejt me forcën që i duhet.
“Si përgjigje ndaj zhvillimeve relevante në terren. Pra, çdo ndryshim në praninë dhe pozicionimin e KFOR-it do të vazhdojë të bëhet bazuar në një vlerësim të situatës së sigurisë”, tha ai.
I pyetur për paralajmërimet e presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, se mund të reduktohen shpenzimet për mbrojtje në NATO ai theksoi se shtete të ndryshme kontribuojnë në misionin e tyre.
“Si Aleancë, ne veprojmë si një tërësi, përmes unitetit tonë të përbashkët të përpjekjes dhe qëllimit, siç dëshmohet nga motoja e KFOR-it: UNITAS OMNIA VINCIT. KFOR qëndron përmes rotacioneve të rregullta të personelit të realizuara nga shtetet individuale që kontribuojnë me trupa në misionin tone”.
Aktualisht në Kosovë, janë mbi 4 mijë e 300 ushtarë të KFOR-it nga 29 shtete.
Më 29 nëntor rreth orë 19:00 një shpërthim i fuqishëm në fshatin Varagë të Komunës së Zubin Potokut dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, nga ku furnizohen me ujë disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.
Nga shpërthimi nuk kishte pasur viktima, megjithatë dëmi material, sipas autoriteteve të Kosovës, ishte i madh, meqë ishte goditur infrastruktura kritike e Kosovës dhe një pjesë e vendit rrezikohej të mbetej pa ujë dhe energji elektrike.
Autoritetet e Kosovës kishin akuzuar Serbinë për orkestrimin e këtij akti, i cili vlerësohet të jetë sulmi më i rëndë ndaj infrastrukturës kritike të vendit që nga përfundimi i luftës, krahas sulmit vdekjeprurës të paramilitarëve serbë vitin e kaluar në Banjë të Zveçanit, në Veri të vendit, i cili ka cenuar paqen e brishtë në Ballkanin Perëndimor.
Serbia, nga ana tjetër, ka mohuar të ketë gisht në të dy rastet, duke theksuar se akuzat për pjesëmarrje në këto sulme janë të pabaza, ndonëse autoritetet kosovare kanë insistuar se kanë prova të mjaftueshme që implikojnë shtetin serb në sulmet e fundit.