Sot është duke u mbajtuar seanca për fjalën përfundimtare në lidhur me rastin e Dardan Krivaqës, i cili akuzohet se me ndihmën e Arbër Sejdiu ka vrarë Marigona Osmanin.
Gjatë kësaj seance avokati mbrojtës i Krivaqës, Skënder Musa, shtjelloi argumentet, analizat dhe provat që janë bërë deri më tani.
Avokati tha se raporti i Mjekësisë Ligjore ka vërtetuar se nuk ka pasur dhunim nga Krivaqa dhe nuk është konstatuar se ka pasur marrëdhënie seksuale mes Krivaqës e Osmanit.
“Nuk është konstatuar se është kryer akti seksual, ku në bazë të doracakut të mjekësisë ligjore kjo vepër kryhet me dashje të drejtpërdrejt mirëpo për tu kryer një vepër e tillë kërkohet që të vërtetohet nëse ka ndodhur bashkimi seksual në mes të mashkullit dhe femrës e që në rastin konkret nuk është vërtetuar se në mes të akuzuarit dhe të ndjerës ka ndodhur bashkim seksual e aq më pak kur edhe vetë eksperti mjeko ligjor në seancë para këtij trupi gjykues ka theksuar se nuk është vërtetuar se ka pasur dhunim”, u shpreh Musa.
Musa theksoi se në aktakuzë Gjykata e ka cilësuar si vrasje në mënyrë mizore e që sipas tij kjo nuk përshtatet me nenet që parashihen në ligj.
“Një gjë të tillë e ka konstatuar edhe Gjykata e Apelit duke theksuar se mizoria nuk është vërtetuar në aktakuzë, as në aktgjykim e që në rigjykim nuk është paraqitur asnjë provë tjetër që vërteton se kemi të bëjmë me privim nga jeta në
mënyrë mizore apo dinake”, tha avokati.
Në fjalën përfundimtare avokati Musa kërkoi që të merren për bazë udhëzimet e Gjykatës së Apelit të Kosovës dhe se veprimet të cilat i ka kryer Krivaqa më 21.08.2021 kanë qenë si pasojë e sëmundjeve mendore.
“Kjo shihet edhe kur merret parasysh se tri bazat të cilat janë theksuar nga neni 173 të Kodit Penal nuk ekzistojnë ashtu siç edhe kemi sqaruar më herët, prandaj Gjykatës i propozojmë që të zbatoj të gjitha udhëzimet e Gjykatës së Apelit të Kosovës, të analizoj të gjitha provat pa u ndikuar nga presioni publik dhe i organizatave jo qeveritare, palëve në procedurë dhe të vendos në pajtim me dispozitat ligjore dhe të ketë parasysh se para vetës e kanë një person i cili që nga shkolla fillore ka qenë përdorues i substancave e narkotike, i diagnostifikuar me sëmundje mendore, depresion, stres, ankth të rënduar e që të gjitha veprimet e tij, më datën 21.08.2021 janë kryer si pasojë e sëmundjeve mendore si dhe përdorimit të narkotikëve siç kemi cekur më herët prandaj kërkojmë nga Gjykata që ky rast të gjykohet ashtu siç parashihet me nenin 19 të Kodit Penal të RKS dhe të marr një vendim të ligjshëm duke i shqiptuar një dënim sa me te butë të mundshëm me qëllim që ndikoj në rehabilitim të mbrojturit tim dhe kthimin e tij në shoqëri si një qytetar i dobishëm në vendin tonë”, tha Musa në fjalën përfundimtare.
Ndërkaq Prokurori i rastit gjatë kësaj seance deklaroi se mbeten fjalët e njejta si në seancen paraprake.
“Mbeten në përgjegjësi fjalët e thëna nga procesi i kaluar gjyqësorë dhe dua të shtoj se dëshmia e mbrojtjes së Dardanit para trupit gjykues e ka vërtetuar akuzën dhe Gjykata nuk do t’ia falë besimin deklarimit të tij, i bazuar në faktin se e ka dërguar në spital dhe se nuk ka pasur qëllim me privu nga jeta dhe do ta shpallim fajtor”, tha prokurori. /TelegramNews.com