Avokati Skënder Musa gjatë mbrojtjes së Dardan Krivaqës, në cilësinë e avokatit mbrojtës, në seancën e sotme tha: “Instituti i Mjekësisë Ligjore nuk ka aparaturë të përshtatshme që mund ta kryejë këtë analizë, unë propozoj që kjo analizë të bëhet në ndonjë laborator jashtë vendit dhe të caktohet shkalla e marihuanës dhe substancave tjera narkotike dhe psikotrope dhe ndikimi i tyre në asfiksim që përmendet në raportin e mjekësisë ligjore”.
Naim Haliti i cili ka ekzaminuar autopsinë e vrasjes së Marigona Osmanit, është ftuar për të sqaruar versionin e vrasjes së të ndjerës Osmani në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në procesin e kthimit në rigjykim të rastit të Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut.
Në sallën e Gjykatës, eksperti Naim Haliti tha se qëndron pas raportit të autopsisë së ekzaminimit të vdekjes së Marigona Osmanit.
“Kemi përshkruar se vdekja e së ndjerës ka ardhur si pasojë lëndimeve të shumëfishta që quhet si poli traumë që kanë ardhur si pasojë e dëmtimit të organeve vitale që kanë qenë të shkaktuar nga mjetet e topitura”, tha ai.
Ndërkohë që gjykatësi i ka shtruar pyetje ekspertit të autopsisë Naim Haliti.
Gjykata e Apelit pas ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim.
E avokati mbrojtës Skënder Musa është shprehur i pakënaqur lidhur me përmbushjen e kërkesës së Gjykatës së Apelit nga ana e Gjykatës Themelore në Ferizaj, në të cilën nuk janë sqaruar si duhet kërkesat e apelit që riktheu në rigjykim rastin.
“Gjykata e Apelit ka propozuar mirëpo është ekspertiza jo e plotë për shkak që nuk ka mundur të përcaktojë shkallën e toksologjisë te e ndjera Marigona”, tha avokati i Dardan Krivaqës z.Skënder Musa.
Duke qenë se Instituti i Mjekësisë Ligjore nuk ka aparaturë të përshtatshme që mund ta kryejë këtë analizë, avokati Musa ka propozuar që kjo analizë të bëhet në ndonjë laborator jashtë vendit dhe të caktohet shkalla e marihuanës dhe substancave tjera narkotike dhe psikotrope dhe ndikimi i tyre në asfiksim që përmendet në raportin e mjekësisë ligjore.
“Trupi gjykues nuk e ka parë të udhës që të sqarojë komplet situatën e gjendjes së varësisë të së ndjerës nga substancat narkotike dhe ndikimit të mundshëm të substancave narkotike në asfiksimin e saj. Eksperti ka sqaruar se ka pasur përdorim të substancave narkotike dhe gjithashtu ka theskuar se e ndjera është vërejtur që vuante dhe ka qenë e ngacmuar nga sëmundja kronike e mushkërive bronhitis i shoqëruar me këlbazë. Të gjitha këto mund të jenë shkaktarë që kanë ndihmuar në vdekjen e të ndjerës. Sa i përket ekspertizave dhe vërejtjeve që ka dhënë, Gjykata e Apelit ka kërkuar që të merren në shqyrtim dhe mund të them se Gjykata Themelore në Ferizaj, nuk i ka zbatuar rekomandimet e Gjykatës së Apelit që është determinuese sepse prej saj varet që të shpallen apo jo fajtorë të akuzuarit ”, tha Musa.
Gjykata Themelore ka vendosur se sa i përket këtij rasti do të shqyrtojë dy ekspertizat ekzistuese. Por që sipas avokatit Musa këto dy ekspertiza nuk mund të vërtetohet se kemi të bëjmë me vrasje mizore dhe dinake.
“Shqyrtimin e kërkesës së palës sonë përkundër faktit që edhe Gjykata ka theksuar se nga këto dy ekspertiza nuk mund të vërtetohet se kemi të bëjmë me vrasje mizore dhe dinake. Në këto pika Gjykata e Apelit ka qenë shumë këmbëngulëse që të sqarohen se a ekziston apo jo vrasja e rëndë dinake dhe mizore. Dhe pikërisht në këtë drejtim Gjykata Themelore nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që të sqarohet ekspertiza lidhur me kërkesat e Gjykatës së Apelit, as ekspertiza e Mjekësisë Ligjore por as ekspertiza e institutit mjekoligjor të Kosovës.”, tha Musa
Ndryshe, Gjykata e Ferizajit, në vitin e kaluar, dënoi me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën dhe Arbër Sejdiun me 15 vjet burgim./Telegrami.co./