Avokati i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Taulant Hodaj, beson se Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) me seli në Llozanë, do ta kthej në favor të Kosovës vendimin e UEFA-s.
UEFA, vendosi në favor të Rumanisë për ndeshjen ndaj Kosovës, të cilën e regjistri me rezultat zyrtar 3:0.
Megjithatë, Hodaj beson se Kosova do ta fitoj rastin në CAS.
“Federata e Futbollit e Rumanisë dënohet për thirrje raciste, ksenefobe, diskriminuese, mesazhe politike dhe sjellje të tjera të papranueshme. UEFA ka marrë një vendim duke dënuar Federatën Rumune të Futbollit me një gjobë qindra mijëra eurosh dhe një ndeshje pa tifozë, për shkak të sjelljeve, raciste, ksenofobe, politike, diskriminuese dhe të papranueshme të tifozëve, ekipit dhe zyrtarëve të saj gjatë ndeshjes kundër Kosovës. Ky vendim po ashtu ka vendosur që rezultati i ndeshjes të jetë 3:0 në favor të Rumanisë. Kjo pjesë e vendimit së bashku me disa shkelje tjera të Rumanisë që ende nuk janë marrë parasysh konsideroj që mund të ndryshojnë në CAS, Lozanë në favor të Kosovës sepse kemi një numër të madh të shkeljeve dhe dënimet tashmë të vërtetuara ndaj Federatës Rumune që duhet të konstatojnë ndërprerjen e ndeshjes e jo veprimi i futbollistëve të Kosovës”, shkruan të mërkurën Hodaj në “Facebook”.
Hodaj insiston se Kosova ka argumente të mjaftueshme për ta fituar rastin në CAS.
“Ka qenë shumë sfiduese situate pas ndërprerjes së lojës, por fakti që lojtarët tanë patën të drejtë në veprimet e tyre dhe thirrjet ‘Kosova është Serbi’ dhe ‘Serbia Serbia’ u dënuan nga UEFA, e në anën tjetër bërja e shqiponjës me duar nuk u dënua, më bëjnë të ndihem mirë për këtë pjesë sepse shumica e pikave të ankesës të përgatitur nga ekipi ligjor i FFK-së është miratuar. Ankesa je FFK-së, e cila përfshinte prova të qarta dhe argumente të pakundërshtueshme, ka luajtur një rol kyç në vënien para përgjegjësisë të palës rumune për gjuhën raciste, të urrejtjes dhe sjelljet diskriminuese. Në të ardhmen duhet të vazhdojmë aktivisht të ankohemi dhe kërkojmë që UEFA të mos lejoj racizmin në fushat e futbollit në asnjë rrethanë”.
Ai thotë se vendimi i UEFA-s do të ndryshojë dhe në të ardhmen të ketë dënime më të ashpra ndaj Federatës Rumune dhe Federatave tjetër që sipas tij bëjnë thirrje anti-Kosovë.