Sarah McBride pritet të jetë gruaja e parë transgjinore që shërben në Kongresin amerikan, pasi u zgjodh për të përfaqësuar distriktin e përgjithshëm të Delaware.
Pas hyrjes në politikë në moshë të re, McBride ka kaluar karrierën duke bërë fushatë për zgjerimin e qasjes në kujdesin shëndetësor të përballueshëm gjersa ka mbështetur edhe reformat për armët dhe ka mbrojtur legjislacionin kundër diskriminimit në Delaware për të mbrojtur njerëzit transgjinor, shkruan newsweek.
Ajo ishte edhe gruaja e parë transgjinore që bëri stazh në Shtëpinë e Bardhë, dhe në vitin 2016, ishte personi i parë trans që foli në Konventën Kombëtare Demokratike.
McBride prano publikisht se është transgjinore në moshën 21 vjeçare përmes gazetës studentore të universitetit dhe një mesazhi në Facebook.
Ndërkohë, ajo njihet gjithashtu për kontributin në formësimin e mbështetjes së presidentit amerikan, Joe Biden për të drejtat e LGBTQ.
Por, përkundër arritjeve të saj, 34-vjeçarja i tha agjencisë së lajmeve reuters se dëshironte që fokusi i fushatës së saj të ishte te çështjet që ajo do të përpiqej t’i ndryshonte, në vend të natyrës historike të kandidaturës së saj.
“Kohë pas kohe, kur je i pari, shpesh duhet të përpiqesh të jesh versioni më i mirë që mundesh”, tha ajo, duke pranuar se ndjen se ka “përgjegjësi shtesë”.
Megjithatë, zgjedhja e saj vjen në një kohë kur çështjet transgjinore po bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e bisedës politike kombëtare.
Gati gjysma e shteteve, të kontrolluara nga republikanët, kanë ndaluar kujdesin për afirmimin e gjinisë për të miturit ose kanë bllokuar studentët transgjinorë të marrin pjesë në garat sportive që janë në përputhje me identitetin e tyre.
Ndërkohë, 15 shtete të kontrolluara nga demokratët kanë miratuar ligje “mbrojtëse” për të garantuar qasjen në kujdesin për afirmimin e gjinisë.