Njësitet e Task Forcës – Lindje, në bashkëpunim me Doganën dhe Policinë e Kosovës, kanë parandaluar një rast të kontrabandës me mallra në kuadër të operacioneve të intensifikuara për luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës.
Operacioni është realizuar më 24 dhjetor 2024, në brezin kufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, në zonën e Hanit të Elezit.
Gjatë orëve të mbrëmjes, njësitet kanë ndaluar një automjet me targa të RMV-së, të drejtuar nga një shtetas maqedonas. Gjatë kontrollit, autoritetet kanë zbuluar mallra të ndryshme të amvisërisë, për të cilat nuk ekzistonin dokumente të vlefshme. Sipas mbishkrimeve në paketimet e mallrave, dyshohet se ato janë futur ilegalisht në Kosovë.
Vlera e mallrave të sekuestruara kap shifrën prej mbi 2000 euro. Automjeti dhe mallrat janë dërguar në terminalin doganor, ku autoritetet e Doganës së Kosovës po vazhdojnë me procedurat ligjore për rastin.
Ky operacion pasqyron angazhimin e institucioneve kosovare për parandalimin e aktiviteteve të paligjshme në kufijtë e vendit dhe për forcimin e rendit dhe ligjit.