Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të ndalimit të kontrabandës në zonën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Rasti ka ndodhur më 22 dhjetor, e diel, në fshatin Dimcë të Hanit të Elezit.
Njësitet patrulluese të Policisë Kufitare kanë vërejtur një automjet tip furgon, pa targa, duke kaluar kufirin përmes rrugëve malore.
Pas një ndërhyrjeje të menjëhershme, autoritetet kanë arritur të ndalojnë automjetin dhe kanë kapur dy persona të dyshuar, të cilët ishin duke kontrabanduar mallra të ndryshme.
“Lidhur me këtë automjet të dyshuar njësitë policore menjëherë kanë ndërmarrë veprime dhe si rezultat kanë arritur që ta kapin në flagrancë, me ç’rast janë hasur drejtuesi i automjetit mashkull kosovar së bashku me të dyshuarin tjetër mashkull kosovar të cilët janë kapur duke kontrabanduar mallra të ndryshme, gjithsej 573 artikuj në vlerë rreth 20.000.00 euro”, thuhet në njoftimin e PK-së.