Ish-emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin, Richard Grenell, tash ka marrë pozitën e emisarit për misione speciale, nën administratën e re të Donald Trump.
Megjithatë, një nga fokuset e tij vazhdon të jetë gjykimi i krerëve të UÇK-së në Hagë.
Richard Grenell ka shpërndarë fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me dyshimet për padrejtësi në Gjykatën Speciale të Hagës.
Shpërndarja e këtyre deklaratave vjen pak ditë pas raportimit të Nacionales, se në një takim të liderëve të Gjykatës Speciale me diplomatë, u përmenden deklaratat e Richard Grenellit.
Rama kishte thënë se Thaçi po mbahet peng, përderisa Kuvendi i Kosovës nuk ka bërë asnjë veprim të paktën për një rezolutë.
“Pa përfaqësuesit e UÇK-së nuk nisemi, as sot, as nesër, asnjëherë. Vetëm bashkë. Ku janë sot përfaqësuesit e UÇK-së. Pa Hashim Thaçin e shokët e tij që udhëtuan bashkë me Rugovën e Qosjen, ne nuk e dimë, çfarë rruge do të kishte marrë fati i Kosovës, por çfarë ne dimë me siguri është se ato qaste nuk do të kishin ardhur, dhe e sotmja do t’i ngjante të shkuarës, pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës mme në krye Hashim Thaçin”, tha ai.
“Sot që ne jemi të gjithë këtu në Kuvendin ku u shpall pavarësia e Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi po mbahen peng prej gati 5 vjetësh, në qelitë e një drejtësie ndërkomëbtare e cila ka zhgënjyer këdo që ka pritur prej saj virtytet e një shteti të së drejtës. As nuk e kam diskutuar ndonjëherë, as sot, të drejtën e asaj Gjykatës Speciale për të bërë punën që ia ka ngarkuar edhe vendimmarrja e kësaj salle, ku vet Hashimi ka ngritur dorën për të formuar ajo Gjykatë”, tha Edi Rama.
Ai ishte i ashpër kur tha se Kuvendi i Kosovës nuk ka bërë asgjë për të nxjerrë një rezolutë për padrejtësinë në Gjykatën Speciale të Hagës.
“Nuk vijë dot këtu në Prishtinë, ta gëlltisë, në mungesë të Hashimit, Kadriut, Jakupit në mungesë të Rexhepit, është nyja e mbledhur në fyt, nga një dyshim shumë i madh, dhe i arsyeshëm se ai proces, është proces i parregullt ligjor, dhe se normat dhe standardet e tij janë nën standardet e drejtësisë që e financojnë atë far Gjykate. Nuk rrit dot pa ua thënë këtu çudinë time për faktin se në këtë sallë nuk është ndërmarrë asnjëherë një nismë për të kërkuar një rezolutë të mbështetur nga të gjitha forcat politike, të gjitha vendeve financuese, shqetësimin e madh mbi standardet e atij procesi, dhe për të kërkuar ngritjen e një misioni verifikimi. Gjykata është e pavarur, por standardet nuk janë të varura nga gjyqtarët”, tha Edi Rama.
Raportimi i Nacionales
Kryeprokurorja e Gjykatës Speciale, Kimberli West, kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova dhe administratorja Fidelma Donlon, u bënë bashkë para pak ditësh në Hagë. Megjithatë, aty nuk ishin vetëm. Tri udhëheqëset e Gjykatës Speciale mbajtën takimin e radhës me diplomatët e vendeve të Bashkimit Evropian dhe shteteve të treta kontribuese.
Gazeta Nacionale ka mësuar se ky takim është mbajtur para pak ditësh në Hagë, ku diplomatët e vendeve të BE-së, janë njoftuar nga liderët e Speciales, për zhvillimet më të reja lidhur me procedurat gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Megjithatë, të paktën dy burime të ndryshme, i kanë bërë të ditur Nacionales se në këtë takim janë diskutuar edhe zhvillime të tjera. Sipas burimeve të gazetës, kryeprokurorja e Gjykatës Speciale, Kimberli West, ka ngritur shqetësime lidhur me deklaratat e Richard Grenell, për lirimin e Hashim Thaçit, deklarata të dhëna në disa intervista televizive por edhe postime në rrjete sociale.
“Kanë qenë më shumë se 25 përfaqësues të misioneve diplomatike. Janë njoftuar për zhvillimet në Gjykatën Speciale, por është publikuar edhe një deklaratë ku Grenell thotë se do ta lirojnë Thaçin”, kanë thënë të paktën dy burime për gazetën Nacionale.
Siç ka mësuar gazeta, ka qenë kryeprokurorja e Speciales, Kimberli West, e cila i ka publikuar disa deklarata të Richard Grenellit ku ai fliste për lirimin e Thaçit pasi Donald Trump të bëhet president.
Richard Grenell në një intervistë të publikuar para dy muajsh në televizionin e shqiptaro-amerikanëve, ALB TVUSA, kishte thënë se sapo Trump të vijë në pushtet, do ta lirojnë Hashim Thaçin. Deklaratë e cila, sipas burimeve të Nacionales, është përmendur në këtë takim me diplomatë.
“Kam bërë shumë intervista për këtë. Çka unë besoj është se ne kur po bënim progres, dhe Jack Smish ishte në Hagë, ai targetoi Thaçin, ai është ende në burg. Nuk ndihem mirë për këtë situatë, ndihem sikur ne e pyetëm atë të vinte në Amerikë për të negociuar, dhe u penalizua e shkoi në burg për këtë. Unë ndihem se duhet të bëjë diçka për ta liruar, dhe do të provojë, dhe shpresoj që Trump të fitojë dhe ne do ta nxjerrim Thaçin në liri. Është e papranueshme për evropianët që ta mbajnë Thaçin në burg pa gjykim, pa akuza, por të nxitura nga Jack Smith. E njoh se Jack Smith është figurë politike, ai shkon për shkaqe politike, e kam parë te Trump dhe te Thaçi”, tha Grenell në këtë intervistë.
Takimin e ka konfirmuar edhe Gjykata Speciale, megjithatë pa dhënë detaje se çfarë është diskutuar.
“Ngjashëm me gjykatat e tjera që merren me krimet ndërkombëtare, Presidenti dhe Sekretari i Dhomave të Specializuara të Kosovës takohen me palët e interesuara, duke përfshirë shtetet kontribuuese dhe përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së që financojnë gjykatën, me qëllim që t’i informojnë ata mbi zhvillimet publike në procedurë. Këto procedura dhe takime raportohen në Raportet Vjetore të Dhomave të Specializuara të Kosovës”, thuhet në përgjigje.
Për këtë temë, Nacionale kërkoi përgjigje edhe nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Megjithatë, ata nuk kanë dhënë detaje.
“Prokuroria e Specializuar nuk i komenton njoftimet diplomatike”, tha Chris Bennet nga Prokuroria.
Nacionale ka dërgura pyetje edhe në zyrën për media të Gjykatës Speciale me seli në Hagë, por të njëjtit nuk janë përgjigjur deri në momentin e publikimit të këtij artikulli.
Disa ditë pas këtij takimi, kryeprokurorja e Gjykatës Speciale, erdhi për vizitë në Kosovë. Vizita e dytë e saj brenda dy muajsh.
Asnjë informacion, asnjë agjendë dhe asnjë takim të cilin ajo e realizoi nuk u njoftua për publikun.
Takimet vjetore ‘të raportimit’ para diplomatëve
Në fakt, takime të ngjashme për të cilin mësoi Nacionale, janë mbajtur edhe në të kaluarën. Dhe kjo, është pjesë e raporteve publike të punës në Dhomat e Specializuara të Hagës.
Në tri vitet e fundit, në fund të nëntorit ose fillim të dhjetorit, udhëheqësit e Dhomave të Specializuara, i njoftojnë ambasadorët për zhvillimet gjyqësore.
“Më 25 nëntor 2021, drejtuesit përditësuan, nëpërmjet videokonferencës, përfaqësues të shteteve anëtare të BE-së dhe shteteve të treta kontribuese në Hagë, mbi punën e DHSK-së dhe ZPS-së gjatë takimit të tyre vjetor”, thuhet në raportin e Gjykatës Speciale.
“Më 24 nëntor (2022), gjatë takimit informues vjetor, Kryetarja, Administratorja dhe Ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Specializuar informuan përfaqësues të shteteve anëtare të BE-së dhe shteteve të treta kontribuese me seli në Hagë për punën e DHSK-së dhe ZPS-së”, thuhet në raportin e punës për vitin 2022.
“Më 8 dhjetor 2023, në seancën vjetore të informimit drejtuesit e lartë përditësuan shtetet anëtare të BE-së dhe shtetet e treta kontribuuese me bazë në Hagë për punën e DHSK-së dhe ZPS-së”, theksohet në raportin e punës të Speciales për vitin 2023.
Kryetarja e Speciales beson se Amerika nuk do të ndërhyjë
Pas zgjedhjes së Donald Trump si president i Amerikës, kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, mbajti një konferencë për media.
Ajo u pyet për deklaratat nga Richard Grenell për lirimin e Thaçit.
Trendafilova deklaroi se nuk beson që Amerika do të ndërhyjë në proces gjyqësor.
“Ne nuk jemi subjekt politik. Ne jemi gjykatë. Dhe askush nga ne nuk ka marrë pjesë në asnjë vendim lidhur me krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Në fakt, palët tona kryesore të interesit janë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, por ne kemi edhe shtete kontribuuese, mes tyre edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Megjithatë, këtë e kam thënë dhe do ta përsëris deri në momentin kur do të jem gabim, se askush nuk u përpoq të ndërhynte në punën tonë, vetëm nëse kanë pyetur se sa do të zgjasë ky rast, sa kohë do të zgjasë ai rast, kjo është e gjitha. Pra, nuk besoj se Shtetet e Bashkuara kanë qenë para së gjithash… Ky është projekt i Bashkimit Evropian dhe i Kosovës. Fundi i institucionit mund të jetë njoftimi nga Këshilli i Bashkimit Evropian se çështja është para përfundimit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe se hetimet kanë përfunduar. Dhe në lidhje me [zgjedhjet], kjo ishte zgjedhja e njerëzve në Shtetet e Bashkuara, zgjedhje spektakolare. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara dihet se janë një nga vendet që promovojnë shumë sundimin e ligjit dhe nuk mendoj se do të përfshihen në ndonjë gjë që lidhet me Dhomat e Specializuara të Kosovës”, u përgjigj Trendafilova.
Kjo situatë vjen pas ngritjes së një aktakuze të re ndaj Hashim Thaçit për pengim të drejtësisë, gjë që shtoi edhe më shumë reagimet ndaj Gjykatës Speciale.